Kryetarët e degëve mbështesin qëndrimin e Veselit që PDK-ja të jetë në opozitë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot kryetarët e Degëve të PDK-së dhe shefat e shtabeve zgjedhore, për të diskutuar për procesin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Kryetari Veseli gjatë këtij takimi ka vlerësuar lartë angazhimet dhe performancën e degëve dhe aktivistëve që kontribuan në fushatë zgjedhore.

“Ai ka falënderuar qytetarët për përkrahjen që i kanë dhënë PDK-së më 6 tetor.
Në këtë takim, kryetarët e degëve në mënyrë unanime mbështetën qëndrimin e kryetarit Kadri Veseli që PDK-ja të jetë opozitë.
Me këtë rast të gjithë theksuan se me angazhimin e mirëfillt, PDK-ja do të jetë opozitë e fuqishme.
Procesi i reformave të brendshme të Partisë do të vazhdojë në mënyrë edhe më intensive nëpër të gjitha degët dhe nëndegët e Partisë Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

/Gazeta Evropa/