Kryetari Veseli mbledh kryetarët e Degëve të PDK-së, kërkon formimin e shtabeve zgjedhore

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka mbajtur sot një takim me Kryetarët e Degëve të PDK-së, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, njofton Gazeta Evropa.

Veseli ka thënë se PDK është gati për zgjedhje dhe në këtë proces hyn për të fituar.

“Tashmë data zgjedhjeve duhet të caktohet sa më parë. Ne kemi përfunduar procesin e brendshëm zgjedhor, që ka fuqizuar PDK-në, dhe jemi të përgatitur për zgjedhje si asnjëherë më parë”, është shprehur kryetari Veseli.

Në takim është vendosur që të gjitha Degët e PDK-së të krijojnë shtabet zgjedhore gjatë kësaj jave dhe po ashtu është kërkuar nga Kryetarët e Degëve që të fillojnë propozimet për kandidatët për deputetë që do të jenë pjesë e listës kandiduese të PDK-së.

“PDK hyn në zgjedhje me qëllimin e qartë për të fituar në këtë proces dhe për t’i dhënë vendit një Qeveri me legjitimitet të plotë qytetar dhe me vizion të qartë për të ardhmen euro-atlantike”, ka thënë Kryetari Veseli. / Gazeta Evropa/