KUR GJENERALËT HESHTIN

Liri LOSHI

Mbrojtja e luftës sonë të drejtë nuk ka nevojë për heshtje, por ka nevojë për zë. Nuk di kush e sugjeroi mbrojtjen në heshtje të luftëtarëve tanë!!! A është dashur edhe unë të hesht, atëherë kur isha zëri i lirisë? A është dashur edhe pushkët tona të heshtnin kur perjetonim terrin e robërisë?!

Mbrojtja në heshtje, mund të jetë mbrojtje e individit, por jo mbrojtje e UÇK-së. Mbrojtja në heshtje e komandantëve tanë është tendencë për heqje dorë nga përgjegjësistë. Ky nuk është morali i ushtarit të UÇK-së, pavarësisht çka sugjerojnë juristët.

Gjykatat ndajnë drejtësinë, por ato edhe konfirmojnë kauzat dhe shkruajnë historinë. Si mund të konfirmohen kauzat kur gjeneralët që udhëhoqën luftën tonë të lavdishme, heshtin para drejtësisë?!

Mbrojtja në heshtje është qëndrim pasiv ndaj së vërtetës. Është absurde që një gjeneral lufte para drejtësisë në Hagë të marrë rol pasiv, kurse sapo të kthehet në vendin e vet, ta vazhdojë liderizmin politik?! Historia nuk shkruhet me heshtje, por shkruhet me zë. Aty ku mungon zëri ynë do të ndihet zëri i të tjerëve.