Kurti: Fëmijët nuk janë jetim vetëm kur nuk kanë prindër, por edhe kur nuk kanë shtet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se asnjë prioritet nuk duhet ta largojë vëmendjen nga ëndrrat e fëmijëve. Ai në Konferencën e Tretë Ndërkombëtare për Shëndetin, Mirëqenien, Edukimin dhe Të Drejtat e Fëmijëve, ka thënë se si institucione kanë përgjegjësinë t’iu ofrojnë fëmijëve shembuj të mirë për t’u ndjekur.

Kurti ka thënë se shkolla dhe familja duhet t’iu japin më shumë mundësi fëmijëve dhe të rinjve për ta shprehur mendimin e tyre.

Ai ka shtuar se e drejta e fëmijëve për t’u shprehur po humbet nga ata që kanë harruar t’i dëgjojnë.

“Dëshira për t’u dëgjuar është më e përhapura nga të gjitha dëshirat tona shoqërore. Secili nga ne duam që zëri ynë të dëgjohet, që roli ynë të njihet e që kontributi ynë të vlerësohet. E kjo nevojë është edhe më e shprehur te fëmijët dhe të rinjtë, të cilët duan të flasin vetë, më shumë sesa që ne t’u flasim atyre. Rrallëherë kanë nevojë për një folës të mirë sa për një dëgjues të mirë, apo për një kritik sa për një model. T’i dëgjojmë fëmijët tanë, me të vërtetë t’i dëgjojmë, t’i duam, t’i respektojmë, t’i kuptojmë dhe t’i pranojmë, çdo ditë dhe tërësisht. Të mësojmë për shqetësimet e tyre, ta ngrisim vetëbesimin e tyre, dhe t’ua demonstrojmë respektin që ata e meritojnë dhe duhet ta kenë nga vetja dhe të tjerët”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se fëmijët duhet të shihen si qytetarët e ardhshëm të demokracisë së përbashkët.

Kurti ka theksuar se fëmijët duhet të aftësohen gradualisht për të ushtruar përgjegjësitë e qytetarisë.

“Prandaj është thelbësore se si ne i edukojmë fëmijët, si në familje ashtu edhe në shkolla dhe komunitet. Shumë shpesh, fëmijët i nënshtrohen sjelljes autoritare nga prindërit dhe mësuesit. Kjo i bën ata të paaftë të rriten si qytetarë të mirëfilltë demokratikë. Kjo do të thotë t’u jepet atyre një zë të shtuar brenda familjes dhe shkollës, t’u mësosh atyre të mendojnë në mënyrë kritike dhe të flasin kundër padrejtësive, kudo që t’i gjejnë”, ka shtuar ai.

Kurti ka thënë se ka indikatorë shqetësues se Kosova nuk po bën sa duhet për ta mbrojtur sigurinë e fëmijëve.

Sipas tij, ka probleme në nivel të lartë me varfërinë dhe ka vështirësi të mëdha në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse me shërbime sociale.

“Përveç fëmijëve që jetojnë në varfëri, 11% të fëmijëve janë të përfshirë në punë dhe 7% të tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61% të fëmijëve, deri në moshën 14 vjeçare kanë vuajtur nga dhuna psikologjike dhe fizike. Shpenzimet për mbrojtjen sociale janë më të ulëtat në rajon. Kosova shpenzon vetëm 6% të bruto produktit vendor për mbrojtje sociale krahasuar me vendet e tjera në rajon dhe Evropë, të cilat shpenzojnë 10–18%. Programet e mbrojtjes sociale nuk janë të përqendruara në reduktimin e varfërisë apo rritjen e barazisë. Fëmijët nuk janë jetim vetëm kur nuk kanë prindër por edhe kur nuk kanë shtet. Duhet të kujdesemi për veteranët e luftës, por edhe më shumë për fëmijët e paqes”, ka thënë ai.

Teksa po dalim nga pandemia Covid-19, Kurti thotë se duhet më shumë punë drejt përmirësimit të cilësisë dhe rezultateve të arsimit, dhe të sigurojnë që fëmijët me aftësi të kufizuara përfshihen në shëndetësi, arsim dhe sport nga niveli parashkollor.

“Qeveria jonë, me qëllim të përgatitjes dhe aftësimit të nxënësve, ka destinuar më shumë përkrahje buxhetore për objekte parashkollore, ndërtim të shkollave të reja dhe të sallave të edukatës fizike, e sidomos modernizim të infrastrukturës në të gjitha nivelet (pra, më shumë laboratore, mjete konkretizimi, literaturë fizike e elektronike, digjitalizim të materialeve e infrastrukturës mësimore). Ne besojmë se shkollat duhet të mbajnë përgjegjësi për suksesin që tregojnë fëmijët”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se duhet më shumë punë që fëmijëve t’u ndërtohet e ardhmja që ata e meritojnë.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

14:05

Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në mbarë botën, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.

Në të njëjtën ditë, rastisi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të festonin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.

Dy vjet më pas 1 qershori filloi të festohet në të gjithë botën.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, KOMF do të publikojë sot raportin e monitorimit “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”.

Sipas KOMF, raporti pasqyron gjendjen e rëndë të shërbimeve sociale në shtatë komuna të Kosovës, ofron të gjeturat dhe rekomandimet lidhur me financimin, planifikimin dhe menaxhimin e shërbimeve, llogaridhënien, ndarjen e përgjegjësive, monitorimin dhe inspektimin.

Po ashtu, do të lansohet edhe fushata e KOMF “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”, e cila do të jetë pjesë e aktiviteteve për shënimin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Ky aktivitet mundësohet në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekt i financuar nga BE dhe menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.

Edhe liderët politikë në vend kanë uruar fëmijët në Ditën ndërkombëtare të tyre.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e shoqërisë.

Ai ka thënë se t’iu garantohet mirëqenie dhe të drejta të barabarta të gjithë fëmijëve.

“Fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e shoqërisë. Janë gjenerata më e re që do ta bëjë botën më të mirë. Prandaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, më shumë se kurrë duhet të zotohemi për krijimin e mirëqenies dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë fëmijët e Kosovës. Investimi në fëmijë është investim në të ardhmen”, ka shkruar ai.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se mirëqenia e fëmijëve është pasqyra me e qartë e suksesit të një shoqërie.

Sipas tij, duhet fokusim në mbrojtjen ligjore të moshave të vogla.

“Mirëqenia e fëmijëve është̈ pasqyra më e qartë e suksesit të një̈ shteti e shoqërie. Kosova është̈ e bekuar që ka popullatën më të re në Evropë̈, por kjo na obligon të gjithëve që të fokusohemi në mbrojtje ligjore të moshave të vogla dhe në këtë kontekst, ne kishim propozuar edhe ligjin për shtesa të fëmijëve. Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve – 1 Qershori, na shërben si përkujtim, se detyrim i yni i përbashkët është̈, që t’iu garantojmë atyre edukim të mirëfilltë̈, siguri dhe t’i mbrojmë̈ nga çdo lloj abuzimi e dhune”, ka thënë ai.

Comments are closed.