Kurti për marrëveshjen në Washington: Është e pazbatueshme, kurrë nuk kam parë diçka të tillë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti marrëveshjen e Washingtonit me Serbinë e sheh të pazbatueshme. Ai në një diskutim virtual me penalistë të ndryshëm tha se marrëveshje të tilla me shumë çështje, nuk ka parë asnjëherë në karrierën e tij politike.

Duke folur për marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington, Kurti tha se kjo marrëveshje nuk ishte menduar as atëherë të zbatohej.

“Tipari mbizotërues i kontekstit të këtyre marrëveshjeve në Washington janë zgjedhjet presidenciale të SHBA, të dy ato angazhime të njëanshme të nënshkruara nga kryeministri i paligjshëm i Kosovës i cili kishte vetëm 59 vota, jo 61 dhe presidenti autoritar i Serbisë, nuk kanë shumë të bëjnë me shqiptarët në Kosovë dhe serbët në Serbi aq sa kanë të bëjë me shqiptarët në Miçigan dhe serbët në Ohajo.

Dhe kështu, është shumë e lidhur me çështjet e brendshme dhe fushatën zgjedhore në SHBA, të jem i sinqertë, unë kurrë nuk kam parë një marrëveshje me kaq shumë çështje në të, duket sikur gjatë përpilimit të tekstit në gjysmë të rrugës, ai që e ka shkruar atë u kërkoi të gjithëve në dhomë të përmendin se çfarë kanë harruar.

“Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë në përvojën time politike dhe në atë që kam lexuar në ndonjë dokument. Prandaj, është përshtypja ime që nuk duket se kjo marrëveshje ishte menduar të zbatohej dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme të vërehet – nuk ishte menduar të zbatohej”, theksoi Kurti.

Krahas kësaj, Kurti shtoi se moratoriumi njëvjeçar për mosaplikimin në organizata ndërkombëtare dëmton shtetin e Kosovës.

Comments are closed.