KUSH MASHTRON NJË HERË, AI MASHTRON GJITHNJË!

Bedri Zenel Islami

Ish- ministri i Informacionit të qeverinë Bukoshi, zoti Shatri, ka bërë sot një shënim, përmes së cilës synon të krahasojë gazetën “Zëri i Kosovës”, në fakt zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me një medial serb.

Është një lojë e vjetër dhe e njohur e tij, i përzënë nga Lëvizja Popullore e Kosovës si deviator, përçarës dhe denigrues.

As kjo dhe as ” gjetjet” e tjera të tij nuk më kanë bërë përshytpje.

Natyrisht do i përgjigjem, jo për citimin e emrit tim, por si drejtues i Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatës që themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe strukturat e tjera ushtarake që çuan në lirinë e viseve shqiptare nën ish Jugosllavi.

Zoti Shatri nuk ka qenë ” postier” i qeverisë së Kosovës, por njëri nga drejtuesit e saj më të rëndësishëm, numri 2 i saj dhe më i afërti me Bukoshin.

Për lidhjet e tij me Bukoshin do të kem një shtesë në fund, por përse saktësoj shpifjen e tij.

Ai që mashtron dhe gënjen një herë, ai e ka ves mashtrimin dhe genjeshtrën.

Në shënimin e tij , zoti Shatri ka shkruar ( citoj)

“Më befasoi shumë ky sulm i ulët dhe ia dërgova redaksisë së Zërit të Kosovës “recommande” këtë reagim ( shih reagimin në foto) i cili nuk u botua kurrë”.

Reagimi juaj, ashtu si keni dërguar, është botuar i plotë, ditën e enjte, 7 janar 1999, në “Zëri i Kosovës”.

Atëherë pse mashtroni kaq haptas?

Cili është qëllimi i njësimit të gazetës së vetme që mbrojti vlerat e UÇK-së me një medial serb?

Pse gënjeni?

Reagimi im ndaj shënimit pa skrupull të Shatrit do të jetë publik, por pyetja ime është më e drejtpërdrejtë:

Në një debat para 20 viteve, debati i parë dhe i fundit, zoti Shatri më ka shkruar se :

““Fondin e Republikës së Kosovës, ku kanë milituar me mijëra patriotë e ku, në emër të luftës për liri, ishin grumbulluar qindra milionë marka gjermane, kopukët arritën ta privatizojnë. Ndërkohë që në kufi vriteshin si qëngjat njomakët që kishin ardhur për armë, paratë e këtij fondi ruheshin për “ ditë të zeza”. Ruheshin për Kosovën e pasluftës për të mbijetuar politikisht kryekopukët “ institucionalë” duke blerë me paratë e fondit vota e parti të ndryshme. Duke zhvilluar hapur e me pare të popullit veprimtari kundër tij”.

Është një deklaratë themeltare e tij.

Është një deklaratë politike kundër qeverisë ku ka bërë pjesë!

ndoshta deklarata më tronditëse ndaj një institucioni.

Flitet për qindra miliona marka të privatizuara, flitet për djem të rinj që vriteshin në kufi për armë kur qeveria BUKOSHI paratë e ” fondit” i ruante për ditë të zeza dhe në atë qeveri, prill – maj 1998, kur vriteshin djemtë, ka qenë ai vetë numri 2, flitet për të mbijetuar politikisht kryekopukët institucionalë , të cilët zhvillonin hapur e para të popullit , veprimtari kundër tij.

Pra, deklaratë dëshmi e numrit 2 të qeverisë për qeverinë që zhvillonte hapur veprimtari kundër popullit!

Në këtë periudhë apo diçka më heret, zoti Bukoshi, në bisedime me një përfaqësues të UÇK-së, emri i tij është i njohur, kërkoi si kusht për të ndihmuar UÇK-në, likuidimin e Rugovës nga UÇK-ja, ose të Aganit, kërkesë që u hodh poshtë kategorisht.

Biseda, me sa jam në dijeni, është e inçizuar.

Tani pyetja ime është: Koha kur është bërë kjo kërkesë makabre përlidhet me kohën kur zotin Bukoshi nuk e lejonte LDK-ja në diasporë as të hipte në tribunë dhe kur këshilltarët e tij fishkëlleshin, kaq të hapura ishin përplasjet mes tij dhe LDK-së në Prishtinë.

A ka qenë në diejni të këtij propozimi zoti Shatri dhe cili ka qenë qëndrimi i tij?

Për problemet e tjera do të shkruaj më pas, sidoqoftë u largova nga një ditë e veçantë, për të pastruar plehrat që hedhin të tjerë.

Shikoni gazetën në fjalë.

E bëra këtu këtë reagim ,pasi në faqen e fb të zotit Shatri mund të futen vetëm miqtë e tij!