Kuvendi mban seancë të premten dhe të hënën e ardhshme

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të premten në ora 10:00 për të shqyrtuar dhe votuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.

Kurse, të hënën do të mbahet seancë e re, në të cilën përveç pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, do të shqyrtohen edhe 12 pika të tjera, raporton Gezeta Evropa.

Njoftimi i plotë:

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga dr. Vjosa Osmani, kryetare, mbajti sot mbledhjen e radhës, në platformën virtuale.  
 
Kryesia vendosi që Kuvendi të mblidhet në seancë plenare të premten, më 27 nëntor 2020, në orën 10:00, për të shqyrtuar dhe votuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.
 
Të hënën, ndërkaq, më 30 nëntor, do të mbahet seancë e re, në të cilën përveç pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, do të shqyrtohen edhe 12 pika të tjera.
 
Në këtë seancë pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, ndërsa pritet edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr.03/L-221, me Ligjin nr.04/L-116, me Ligjin nr.04/L-194, me Ligjin 05/L-063 dhe me Ligjin 05/L-007.
 
Në vazhdim, në rend dite do të jetë shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2020-2024, si dhe raportet e punës për vitin 2019 të shtatë institucioneve të pavarura: raporti vjetor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, raporti vjetor i Akademisë së Drejtësisë, raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, raporti vjetor i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2019, si dhe raporti vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit.
 
Në këtë seancë është paraparë të bëhet edhe emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT, si dhe zgjedhja e Kryesuesit të Komisionit Shqyertues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.
 
Më 13 dhjetor 2020, ndërkaq, Kuvendi do të mbajë seancë të veçantë për personat me nevoja të veçanta, sipas kërkesës së deputetit Fetah Rudi.
 
Në mbledhjen e sotme, Kryesia vendosi që të përsëritet shpallja e konkursit publik për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare.
 
Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. 

Comments are closed.