Kuvendi sot shqyrton rishikimin e buxhetit, për t’i hap rrugë pagesave të punëtorëve të sektorit privat

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot prej orës 11:00 për të vazhduar punimet e seancës plenare të një dite më parë.

Në të vërtetë, sot do të ketë edhe një seancë të re gjatë orëve të pasdites, kur kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19 ku është paraparë edhe debat parlamentar.

Gjithsesi, në seancën e paradites, ajo që bie në sy është pika e rishikimit të buxhetit që Qeveria kërkon ta kalojë në Kuvend në mënyrë që t’i hapë rrugë zbatimit të pakos emergjente fiskale.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se ekzekutimi i pagesave prej 170 eurosh si dhe implementimi i masave të tjera është peng i votimit të rishikimit të Ligjit të Buxhetit në Kuvend.

“Ndërsa në momentin kur kalon rishikimi i Buxhetit në Kuvend, përgjegjësia është të Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për masat në mbështetje të sektorit privat dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për masën numër 15”, ka shkruar Bajrami.

Rishkimi i buxhetit nuk do të marrë mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët insistojnë se ekzekutimi i pagesave të pakos emergjente mund të bëhet duke shkurtuar shpenzimet në projektet infrastrukturore ose siç i quajnë ata “të asfaltit”.

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati për KosovaPress tha se lëvizjet brenda kodeve buxhetore janë të mundshme edhe pa qenë të buxhetuara qysh në fillim, dhe sipas tij nëse duan të kryhen pagesat e pakos emergjente shkurtohen vetëm projektet infrastrukturore.

“Po, mundësitë çdo herë janë, sepse Ligji për menaxhimin e financave publike e parasheh edhe transformimin e mjeteve deri në 25 përqind kurdo që ka nevojë janë alokime të parakohshme. Pra, ka mundësi të ndryshme, në mënyrë që të bëhen lëvizje brenda kodeve buxhetore edhe pa qenë të buxhetuara qysh në fillim. Por, kjo është çështje e vullnetit dhe prioritetit të kategorive. Tash nëse dëshiron t’i kryejnë pagesat e pakos emergjente shkurton asfaltin. Mirëpo, kjo qeveri ka vendosur mos të shkurtojë asfaltin, t’i vazhdojnë projektet ashtu qysh janë. Kurse, e kemi parë që në javën e parë kur kanë shpallur tenderë për 200 milionë euro asfalt dhe kështu kanë prioritet asfaltin”, tha Murati.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, ka kritikuar qeverinë e kaluar, por edhe të tashmen, duke thënë se asnjëra nuk arriti të gjejë rrugë ligjore për të përkrahur bizneset dhe qytetarët e Kosovës që janë në gjendje të mjerueshme për shkak të pandemsië Covid-19.

Ai edhe njëherë ka ripërsëritur qëndrimet e PDK-së se pa ndryshime ligjore nuk mund të ndihmohet asnjë kategori e bizneseve.
“Për zbatimin dhe përkrahjen e bizneseve duhen ndryshime ligjore. Ju kanë nevojitur 3 muaj kohë për të kuptuar se pa ndryshime ligjore nuk mund të procedohen pagesat të cilat janë premtuar”, deklaroi ai.

Ndryshe, përpos pikës së rishikimit të buxhetit, pika të tjera në vazhdimin e seancës së sotme janë edhe:

Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, (KOSTT);

Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë;

Shqyrtimi i Raportit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit-(ARRU) për vitin 2019,
Kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e Pandemisë së Virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për miratimin e buxhetit;

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për shtatë (7) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës;

Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Ankesave të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Comments are closed.