Latifi akuzon komisionerët për vjedhje votash: Me këso horra nuk shkohet në Europë

Ish-kandidati për deputet nga PDK’ja, Blerim Latifi, po akuzon për vjedhje votash komisionerët e vëzhguesit e procesit tëe zgjedhjeve, shkruan Gazeta Metro.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai thotë se me ta, duhet ‘i kesh punët më mirë.

“Gjatë fushatës më pyesnin njerëzit: Si i ke punët me komisionerët në vendvotime? Po me vëzhguesit? E si duhet t’i kem?, i pyesja. Për t’i ruajtur votat tua, më përgjigjeshin. Dhe vazhdonin : Nëse komisionerët nuk janë me ty, votat t’i marrin dhe ua hedhin të tjerëve, gjatë përpilimit të tabelave përfundimtare. Por, e keqja nuk sosë këtu, sepse edhe në rastin kur komisionerët janë me ty, duhet t’i ruash ata, për arsye se vjen tjetri dhe t’i blenë me para”, shkruan Latifi.

Sipas Latifit, demokracia kosovare është një mashtrim i madh, pasi votat fillojnë të falsifikohen sapo të mbyllen vendvotimet.

“Pra, thënë shkurt e shqip: demokracia kosovare, që në aktin e saj themelor, është një mashtrim i madh, një pazar i ndytë komisionerësh e vëzhguesish. Vullneti i qytetarëve fillon e falsifikohet me t’u mbyllur qendrat e votimit. E pastaj ankohemi se Europa nuk po na i hapë dyert! Natyrisht që nuk na i hapë. Me horra nuk shkohet në Europë. Me horra veç një rrugë është e hapur: rruga e shtetit të dështuar”, ka përfunduar ai.