LDK-ja kundër qeverisë teknike

Një ditë para seancës për votimin e qeverisë së re, LDK-ja ka prezantuar emrat e ministrave nga radhët e saj.

Për herë të parë në poste ekzekutive do të jenë dy deputetët, Driton Selmanaj dhe Armend Zemaj. I pari zëvendëskryeministër, ndërsa i dyti ministër i Shëndetësisë.

Krahas këtyre, partia e Isa Mustafës ka vendosur që të vazhdojë punën në qeveri me pesë ministra nga Qeveria Kurti, përfshirë Agim Veliun që i është besuar sërish Ministria e Punëve të Brendshme, ndërkohë që ministri aktual në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku nuk ka pranuar të jetë në ekzekutiv.

Pas dhënies së “aminit” për këta emra, kreu i LDK-së, Isa Mustafa duke folur me bindje të plotë se nesër do të votohen kabineti Hoti, tha se nuk do të ketë nevojë për qeveri teknike, pasi do të jetë me mandat të plotë.

“Ne po punojmë që Kosova të ketë qeveri të re. Kjo qeveri e re do të punojë me pritje për mandatin e plotë. Në qoftë se subjekte politike dhe LDK-ja në vazhdim të punës së kësaj qeverie sheh një interes tjetër të vendit, ne mund të bisedojmë me partnerët e koalicionit dhe subjektet politike tjera. Pasi ne këtë qeveri nuk e konsiderojmë si qeveri të tranzicionit”, tha ai.

Për arsyet e mungesës në qeverinë Hoti të ministrit Abdixhikut, Mustafa tha se s’ka pasur vullnet për një gjë të tillë.

“Vetë është deklaruar, një qëndrim të tillë e ka prezantuar edhe të kandidati për kryeministër se ai nuk vazhdon të jetë më tutje ministër në qeveri”, tha ai.

Ndërsa, i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti tha se për dialogun me Serbinë do të kërkojë një konsensus të gjerë politik.
Përkundër presionit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hoti nuk e bëri as tash publike marrëveshjen me Listën Serbe, por tha se këtë do ta bëjë shumë shpejt.

“Unë kam marrë mandatin nga LDK që i ka mbi 200 mijë vota, unë përfaqësoj LDK-në. Normalisht me partnerët e koalicionit do të jem kryeministër për gjithë qytetarët e Kosovës. Por te çështja e dialogut do të përfshijmë një konsensus të gjerë të përfshira gjitha forcat politike. Me mekanizma kushtetues, institucional duke njoftuar rolin e kuvendit dhe të presidentit, por duke marrë barrën e qeverisjes”, tha a.

Përveç, Veliut, Selmanjt dhe Zemajt, ministra në Qeverinë Hoti pritet të jenë, Arban Abrashi që do të drejtojë Ministrinë e Infrastrukturës, Hykmete Bajrami ministre e Financave, Besian Mustafa do të vazhdojë në ministrinë e Bujqësisë dhe kultura sërish i është besuar ministres në detyrë, Vlora Dumoshi.

Comments are closed.