LETËR HISTORIKE

I dashur mik i dashur dhe i veçantë!
Uroj të jeni mirë të gjithë familjarisht dhe të keni mbarësi.

Në Shqipëri, ku isha pak javë më parë, gjendja është konfuze dhe forcat e vjetra të errësirës janë rizgjuar edhe një herë për të djegur e shkatërruar.

Në Kosovë, po ashtu, e keqja është bërë e pranishme dhe, dhe, çka është më keq, është bërë e pranueshme.

Në Maqedoninë Veriore ka më tepër qetësi, më shumë ecje drejt demokratizimit, megjithëse aty duhej të kishte më tepër probleme dhe unë jam i bindur se, miku ynë i përbashkët dhe drejtuesi i më i lartë politik i shqiptarëve, Ali Ahmeti, luan rolin e tij të pazëvendësueshëm.

Maturia dhe shpirti i tij jashtë konfliktit, siguria për të ecur qetësisht dhe duke e ditur se ku duhet të shkojë në të ardhmen, krijimi i një marrëdhënie të re ndërnacionale, afrimi i shumë intelektualëve drejt përbashkimit, shtrirja e rrjetit të mendimit të lirë drejt njerëzve, koncepti i drejtë për shtetin dhe për Republikën, e kanë bërë praninë e tij të domosdoshme dhe, përmes pranisë së tij, kanë sjellë për ditë e më shumë staturën e një lideri madhor, jo tipik ballkanik, por europian i klasit të parë dhe, në fund të fundit, modelin e një shqiptari të politikës që nuk hedh gurë ndaj të tjerëve, por ngre urat e bashkimit.

Jam i bindur se edhe më tej Ali Ahmeti, duke pasur konceptin e drejtë të ndërtimit të shtetit shumë dimensional dhe tejet funksional, do të jetë njeriu i paqes, ashtu si ishte njeriu i luftës.
Do të jetë njeriu që i besoi Fehmi Lladrovci në kohën e luftës dhe do i kishte besuar edhe në këto ditë.

Mbetet njeriu që ndërlidhi forcën dhe emrin e Adem Jasharit me një çështje të madhe dhe që sot, përsëri, do të kishte mbështetjen e tij.
Në mendimin tim nuk mbështetem asnjëherë në miqësinë tonë të përbashkët, në relatat e krijuara nga vitet, pasi për mua, më shumë se çdo miqësi qëndron kombi dhe e vërteta, qëndron amaneti i atyre që u flijuan, por, Njeriu i vërtetë, si kam shkruar në njërin nga librat e mi, vazhdon të qëndrojë i vërtetë.

Unë e kam ndjekur aktivitetin e tij edhe në ditë të vështira për Lëvizjen, për luftën, për zhvillimin; e kam ndjekur kur pak vetë besonin se do të kishte një të ardhme të tillë dhe kur shtigjet dukeshin të mbyllura përjetësisht. Pra, njohja jonë më ka shërbyer për të shikuar më gjerë, për të ditur më shumë, për të gjykuar më qetësisht, për të analizuar më thellë, për të përcaktuar më saktë, për t’u përqendruar më thellë dhe, sot që po të shkruaj, më vjen keq që në politikën shqiptare të trojeve tona nuk kemi nga një Ali Ahmet në çdo pjesë.

Mungesa e një burri shteti në përmasat e tij është mungesë e vlerave dhe këtë e ndjej përditë e më shumë.

Ju uroj gjithë të mirat, mik i dashur dhe mbarësi!

Lajmi për vendosjen e një rruge nën emrin e nderuar të të parëve tuaj dëshmon se nuk keni qenë rastësisht në aradhën e atyre që iu përkushtuan vendit dhe që luftuan për një Kosovë të mosvarur, të lirë, dhe me aspiratën e bashkimit të ardhshëm kombëtar.

Bedri Islami
21 Qershor 2019

Loading...