Liberalizimi i vizave për Kosovën, deklarohet Gjermania

Berlini zyrtar, që aktualisht është duke e drejtuar Presidencën e BE-së, ka bërë të ditur se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, përveç që ndërlidhet me plotësimin e kushteve, është edhe çështje politike e Bashkimit Evropian. Një gjë të tillë e ka thënë për Express Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë që drejtohet nga Horst Seehofer.

Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, para gati dy javësh ka mbajtur një takim me homologët e tij nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ku kanë diskutuar për Ballkanin Perëndimor dhe për problemet me emigracionin.

Gazeta Express është interesuar të dijë nëse në një takim të tillë është biseduar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën meqë Berlini zyrtar tashmë drejton Presidencën e BE-së. Por zyra e Seehofer s’ka pranuar të japë detaje.

“Ministria e Punëve të Brendshme nuk jep detaje sa u përket diskutimeve të bëra nga ministrat e Punëve të Brendshme në takimet e tyre në Bruksel”, ka thënë për Express një zëdhënës në Ministrinë që drejton Seehofer.

Megjithatë, ai ka shtuar se në çfarëdo rasti, pozicioni përkrahës i Gjermanisë mbetet i pandryshueshëm.

“Gjermania mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt liberalizimit të vizave”, ka shtuar tutje ky zëdhënës.

Ndërkohë, të pyetur nëse ka ndonjë shans që Kosova të marrë dritën e gjelbër për lëvizje të lirë në Schengen gjatë presidencës gjermane, nga Ministria e Brendshme thonë se puna e liberalizimit të vizave për Kosovën, përveç kushteve, është edhe çështje politike e BE-së.

“Gjermania gjithmonë e ka bërë shumë të qartë që lëvizja e lirë pa viza mund të arrihet pasi të gjitha kushtet e Udhëzuesit për Viza janë plotësuar. Ky, po ashtu, është vendim politik në kontekst evropian”, ka thënë ky zëdhënës i MPB-së së Gjermanisë për Gazetën Express.

Aktualisht, skeptike për liberalizimin e vizave për kosovarët janë Franca dhe Holanda.

Nga Parisi thonë që Kosova ende s’i ka plotësuar kushtet dhe se duhet punuar edhe më shumë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Një regjim i liberalizimit të vizave për qëndrim të shkurtër, supozon të jenë plotësuar një numër kushtesh, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës (sundimin e ligjit) dhe me luftën kundër krimit dhe aktiviteteve kriminale. Aktualisht, këto kushte nuk janë ende të përmbushura nga Kosova”, i kishte thënë Gazetës Express një burim diplomatik në Paris para pak ditësh.
 
Derisa nga Komisioni Evropian kanë konstatuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për liberalizim të vizave dhe se tashmë vendimi është në dorën e shteteve anëtare.

“Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim, duhet t’i bindim shtetet anëtare të BE-së”, kishte thënë gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.

Comments are closed.