Lugina e Preshevës – ndërgjegje e politikës mbarëshqiptare

Serbia në veri dhe Greqia në jug janë borxhlinjtë më të mëdhenj të shqiptarëve, sepse shtetet e tyre u ngritën në kurriz të hapësirës etnike shqiptarëve, duke i shkulur këta të fundit nga vatrat stërgjyshore. Prandaj, jo rastësisht sot këngët Çame janë të mbushura plot me klithma nënash e trishtime fëmijësh, teksa kujtojnë me mall oborret e mbuluar me thera e gurë. Shikimet e pleqve të Çamërisë mbetën të gozhduar në horizontin e largët, atje ku bashkohet toka me detin, dhe në imagjinatë rikthejnë shiritin e kohës, duke risjellë të freskëta lojërat fëmijërore, dhe vrapin këmbëzbathur buzë ujërave të Jonit

Nga Mehmet PRISHTINA

Komunat shqiptare në lindje të Kosovës, që më vonë morën një emërtim të ri – Lugina e Preshevës, përbën një territor kompakt, në të cilën përfshihet në jug Presheva me rrethinë, në mes Bujanoci dhe krahina e Medvegjës në veri.

Lugina e Preshevës administrativisht ishte ndarë nga Kosova në vitet 1945 – 54 prej komunistëve jugosllav në shkëmbim të dy komunave në veri të Kosovës, me Leposaviqin dhe Zubinpotokun, të cilat në atë kohë kishin popullsi shumicë sllave. Qëllimi i kësaj ndarje ishte copëzimi i trungut shqiptar dhe defaktorizimi i tyre, si në aspektin politik, por edhe nacional.

Historia e shqiptarëve që mbetën jashtë trungut etnik, si ata që mbetën jashtë Shqipërisë Londineze, si ata jashtë Kosovës së Bujanit, është sa e dhimbshme, po aq edhe paradoksale, sepse mund të jemi ndër popujt e rrallë në botë që territorialisht kufizohemi me vetveten.

Dëbimi i dhunshëm i shqiptarëve në dimrin e 1877/78-tës nga viset autoktone në Sanxhakun e Nishit, si dhe përzënia gjenocidale e çamëve nga ana e grekëve që ndodhi në fund të viteve dyzetë të shekullit të kaluar, përbëjnë kapitullin më trishtues të historisë më të re.

Ky teatër tragjik që u luajt në sytë e botës së civilizuar, as sot nuk po arrin të hap plotësisht perdet që të depërtojë jo vetëm e vërteta, por edhe drejtësia. Fundja, edhe disa Konventa Ndërkombëtare, të cilat janë shkelur me dy këmbët nga këto shtete, rregullojnë të drejtën e kthimit në vendlindje, vetëm se për këtë kërkohet një angazhim më i madh institucional dhe kjo nuk bëhet vetëm nga vullneti i mirë i individëve dhe shoqatave të caktuara.

Serbia në veri dhe Greqia në jug janë borxhlinjtë më të mëdhenj të shqiptarëve, sepse shtetet e tyre u ngritën në kurriz të hapësirës etnike të shqiptarëve, duke i shkulur këta të fundit nga vatrat stërgjyshore. Prandaj, jo rastësisht sot këngët Çame janë të mbushura plot me klithma nënash e trishtime fëmijësh, teksa kujtojnë me mall oborret e mbuluar me thera e gurë. Shikimet e pleqve të Çamërisë mbetën të gozhduar në horizontin e largët, atje ku bashkohet toka me detin, dhe në imagjinatë rikthejnë shiritin e kohës, duke risjellë të freskëta lojërat fëmijërore, dhe vrapin këmbëzbathur buzë ujërave të Jonit.

Edhe Sanxhaku i Nishit sot përbën një hartë të shpuar nga vrimat e lëna zbrazët prej vendbanimeve shqiptare. Ndonëse politika serbomadhe është munduar ti mbushë këto vrima me elementin sllav, kryesisht banorë të sjellur prej viseve tjera nga Serbia, Kroacia e Bosnja, megjithatë, gjëma e shpërnguljes tragjike të shqiptarëve nga këto krahina, edhe sot dëgjohet. Po t’i vizitoni fshatrat e Leskocit, Kurshumlisë, Prokuples do të vëreni gjurmë shqiptare, duke filluar nga mikrotoponomia, e deri te kujtimet e pleqve serbë, të cilët nuk ngurrojnë të flasin për fqinjët e tyre shqiptarë, që dikur kishin qenë banorë autoktonë të këtyre viseve. Ata edhe sot flasin për krojet, zabelet, livadhet që ende mbajnë emra shqip dhe kjo flet se shpërnguljet e planifikuara dhe realizuara nga makineria shtetërore serbe nuk arritën ta fshijnë kujtesën popullore. Kjo makineri edhe sot e ka të pamundur të zhbëj atë që kishte ndodhur para 140 viteve në Sanxhakun e Nishit, e më së paku të disponojë me të drejtën morale të brengosjes për serbët jashtë Serbisë, të cilët në shumë raste u përdoren si kontingjente koloniale për të ndryshuar dhunshëm strukturën demografike në Kosovë, por edhe në Bosnjë, Kroaci e gjetiu.

Që absurdi të jetë më i madh, Serbia edhe sot po vazhdon politikën e saj të ‘tokës së djegur’, duke zbrazur hapësirën shqiptare në Luginën e Preshevës, në emër të disa masave administrative që si qëllim final ka shpalljen e këtyre viseve etnikisht të pastra serbe.

Politikani dhe afaristi i shuar nga Medvegja, Muharrem Salihu, i cili ishte edhe kandidat për kryetar i kësaj komune, muaj më parë ka alarmuar opinionin publik për masat absurde që po ndërmerr Beogradi zyrtar kundër prezencës së elementit etnik në Medvegjë dhe në komunat tjera shqiptare, në këtë pjesë të Serbisë. Sipas tij këto masa ishin pjesë e politikave gjenocidale serbe dhe kjo dëshmohet me faktin se që nga viti 1915 nga regjistri civil janë fshi qindra shqiptarë, të cilët ishin larguar për një jetë më të mirë në Kosovë, kryesisht në Gjilan, Prishtinë dhe Fushë Kosovës. Një gjë e tillë u ka pamundësuar atyre edhe nxjerrjen e letërnjoftimeve.

Për pasojë, krahasuar me 4 vjet më herët, në listën e votuesve të sivjetmë ishin rreth 4 mijë votues më pak.
Sipas regjistrimit të vitit 1981, në komunën e Bujanocit jetonin 46.689 banorë prej tyre 55% (25.848) ishin shqiptarë, 34% serbë (15.914), ndërsa afër 9% romë (4.130).

Të njëjta statistika thonë se komuna e Preshevës kishte pasur 33.948 banorë ku shumica dërmuese mbi 85% (28.961) ishin shqiptarë, mbi 12% (4.204) serbë dhe rreth 1% (433) romë.
Ndërsa nga 17.219 banorë sa kishte Medvegja, rreth 65% (11.354) ishin serbë dhe malazezë, rreth 32% (5.509) shqiptarë dhe diku rreth 0.5% (83) ishin romë.

Kryeministri në ardhje dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në fund të qershorit, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për situatën aktuale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kishte thënë se zgjidhja e çështjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk është vetëm çështje e sigurisë, por në radhë të parë është çështje e të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve. Sipas tij, Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian nëse gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nuk ndryshon.

“Nga Prishtina është demobilizuar Lugina e Preshevës pikërisht në emër të premtimit që ata shumë shpejt do të na bashkëngjiten neve pa ndonjë sforcim shtesë, pa çka se më herët ishte zhvilluar një luftë, bartëse e së cilës ishte UÇPMB-ja dhe, po ashtu ishte mbajtur referendumi i 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, i cili referendum nuk është përfshirë në pozicionet zyrtare as të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë”, kishte thënë Kurti.

Gjithsesi, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, kërkojnë një trajtim tjetër,jo si deri më tani, së pari nga vetë politikanët vendorë, të cilët duhet urgjentisht të hartojnë një platformë, e cila do të ishte udhërrëfyese për hapat e mëtejmë, por edhe nga politikanët e Prishtinës dhe Tiranës. Këta të fundit kanë dështuar në përpjekjet e tyre për të siguruar një status më dinjitoz për etninë shqiptare në komunat e lartpërmendura, kurse në procesin e bisedimeve me Beogradin lidershipi kosovar nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e masave të reciprocitetit sipas maksimës “Sa të drejta për serbët e Kosovës, po aq të drejta edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.

Me formimin e Qeverisë së re të Kosovës, mund të presim një qasje ndryshe ndaj këtij problemi, fundja i paralajmëruar nga vet Albin Kurti, i cili në të gjitha debatet ka potencuar se Kosova në bisedimet me Serbinë, duhet ta ketë prioritet edhe çështjen e statusit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke këmbëngulur që ky status të jetë konform konventave ndërkombëtare dhe jo në disproporcion me të drejtat e serbëve të Kosovës, të cilët sipas disa zgjidhjeve që vinë nga Pakoja e Ahtisarit, madje tejkalojnë edhe normat ndërkombëtare për pakicat, sepse në disa raste ata gëzojnë të drejtën e eksterritorialitetit, që ndërlidhet kryesisht me pronat mijëra hektarëshe të disa kishave dhe manastireve.

Lugina e Preshevës do të vazhdojë të jetë ndërgjegje e politikës mbarëshqiptare, përderisa zgjidhja e statusit të saj nuk merr një epilog që do të ishte në interes të shqiptarëve të këtyre viseve.

Prishtinë, 31 tetor

Loading...