McAllister: Kosova dhe Serbia po punojnë shumë për të arritur marrëveshjen

Raportuesi aktual për Serbinë i cili u rizgjodh kryetar i Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister deklaroi se pavarësisht ndryshimeve të mëdha në përbërjen e PE-së, partitë udhëheqëse të konservatorëve dhe socialdemokratëve do të fokusohen në zgjerimin e BE-së.

“Dy grupe të mëdha, Partia Popullore Evropiane dhe ajo e socialistëve dhe demokratëve, do të ketë qasje të ngjashme ndaj zgjerimit, e kjo politikë bazohet në plotësimin e kushteve. Nëse vendi përparon, besojmë se duhet të shpërblehet”, ka thënë ai.McAllister përsëriti pikëpamjen e Brukselit se përparësia në rrugën e integrimit evropian mbetet një çështje thelbësore e sundimit të ligjit.

Ai foli edhe për rolin e ndërmjetësuesve të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se janë të interesuar që të dy vendet të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, e që sipas tij për këtë po punohet shumë, transmeton Indeksonline.

Tutje ai theksoi se emërimet për raportuesit e rinj të Parlamentit Evropian për të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor do të finalizohen në shtator të këtij viti.