Mësuesi i Avdullah Hotit zbulon diçka interesante nga jeta e Kryeministrit të ri

Bilall Hoti, mësuesi i kryeministrit të ri, sot është parë i emocionuar që një nga nxënësit e tij shembullorë u bë kryeministër.

Ai ndau gjëra interesante nga fëmijëria e Avdullah Hotit në Ratkoc të Rahovecit duke treguar për pesëshet dhe interesimin e madh që ka pasë për libra.

“Po ndihem mjaft mirë që një nxënës i shkollës tonë ka arritur të bëhet kryeministër. E kujtojmë si një nxënës mjaft të mirë, i edukuar dhe që ka qenë gjithmonë i përgatitur. Asnjëherë s’ka pasë katërshe, por vetëm pesëshe”.

Por a ka bërë sherre ndonjëherë i urti Avdullah Hoti?

“Sikur sot që duket ai asnjëherë s’ka qenë problematik, por i urtë dhe bashkëpunëtor me nxënës e arsimtarë, i ka kryer me rregull detyrat dhe për të gjithmonë flitet mirë. Askush nuk mund të flet për të keq si i ri dhe si student”.

“Avdullahu bashkë me dy shokët e tij kanë qenë motiv për gjithë klasën. E gjithë klasa ka qenë e mirë, por ky e dy shokët e bankës së tij e kanë arritur kulmin e shkollimit”.

Mësuesi i tij tregoi edhe për vështirësitë financiare që ka pasë Hoti gjatë shkollimit.

“Familja e tij është marrë me bujqësi dhe kur Hoti ka shkuar edhe me dele, librin e ka pasë me veti. E kam parë vetë sepse nga ajo e anë e kam fushën, por edhe e njoh si kushëri. Si arsimtarë gjithmonë iu kemi thënë familjarëve të tyre që të shkollojnë sepse nuk i kanë mundësitë. Avdullahu si nxënës edhe si student gjithmonë u rrit me vështirësi dhe me skamje. S’i ka pasë kurrë kushtet e mira për shkollim, por ka pasë interesim të madh për mësim dhe ia ka arritur”./klankosova.tv/

Comments are closed.