Ministri Shala merr edhe një vendim në mbrojtje të konsumatorit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, bashkë me drejtorin e Policisë së Kosovës, Reshat Qalaj kanë bërë përurimin e dy laboratorëve të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, njofton Gazeta Evropa.

Ministri Shala tha se tash e tutje pajisjet e Policisë së Kosovës do të kalibrohen në institucionet shtetërore.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e sigurisë në komunikacion, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencioni i Metrologjisë së Kosovës kanë kompletuar pajisjet e dy laboratorëve për verifikimin e matësve të shpejtësisë edhe atë të alkoolmetrit, të dy këto pajisje me të cilat shërbehen Policia e Kosovës do të kalibrohen në Agjenci të Metrologjisë së Kosovës. Qytetarët e vendit sigurohen që tash e tutje këto pajisje do të jenë të kalibruara në Republikën e Kosovës”, tha ministri Shala.

Ai bërë të ditur se ky është edhe një veprim në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit dhe tashmë Policia e Kosovës do të jetë edhe më e saktë sepse mjetet që përdorën nga ta do të jenë të kalibruara.

“Me këtë veprim, ne sot edhe një herë po dëshmojmë gatishmërinë politike dhe institucionale për ngritjen e nivelit të zbatueshmërisë së Ligjit, në funksion të rritjes së sigurisë në rrugët e Republikës së Kosovës, dhe gjithashtu për rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë ndaj të gjithë ngasësve të veturave në Republikën e Kosovës”, tha ministri Shala.

Ndërsa kryeshefi i Agjencisë së Metrologjisë, Ferki Fejza tha se këta dy laborator ndikojnë në punën e përditshme të Policisë, dhe e rrisin besueshmërinë e matjeve edhe në konteste gjyqësore.

“Sepse matje që i kryen Agjencia e Metrologjisë janë profesionale dhe janë laboratorë të sofistikuar që janë kompletuar me infrastrukturë moderne”, tha Fejza.
E drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Qalaj, tha se Policia tash e tutje do t’i shfrytëzoj institucionet shtetërore për kalibrimin e mjeteve të tyre të punës.

“Edhe në të kaluarën edhe sot jemi duke punuar me instrumente të kalibruara dhe testuar, mirëpo që kemi shfrytëzuar shërbimet e operatorëve privat të kontraktuar. Tash këto shërbime do t’i kryejmë në institucione shtetërore dhe sigurisht me një kosto shumë më të lirë”, tha Qalaj.