Ministria e Arsimit jep sqarim për licencimin e çerdheve private

Ministria e Arsimit, përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare FB ka dhënë sqarime në lidhje me licencimin e Institucioneve Edukativo – Arsimore Parashkollore Private (IEAPP).

Në këtë postim thuhet se procedura e licencimit ngërthen në vete disa faza, të cilat përveç MASH, kërkojnë dhe pjesëmarrjen e disa institucioneve publike, si Ministria e Punëve të Brendshme dhe komuna përkatëse.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi, procedurat për licencim janë të ndërlidhura edhe me dhënien e pëlqimit të Institucioneve të tjera publike, nga pëlqimi i të cilave varet pajisja me licencë IEAPP-ve nga ana e MASH.

Kjo nënkupton se nëse Institucioni përkatës kompetent nuk e jep pëlqimin për plotësimin e kushteve higjienike-sanitare dhe pëlqimin për sigurim nga zjarri, IEAPP-të nuk mund t’i nënshtrohen tutje procedurave të licencimit.

Për më tepër, edhe në situatat kur IEAPP-të janë të pajisura me licencë nga MASH, të njëjtat mund të mbyllen nga Inspektorati Sanitar i komunës përkatëse kur konstatohet se IEAPP nuk i është përmbajtur rregullave të lëshuara nga ana e tyre.

Marrë parasysh situatën e krijuar me Covid- 19, të gjitha Institucionet publike (përgjegjëse), duhet të kontribuojnë në luftimin e pandemisë, që ndërlidhet pikërisht me përmbushjen e kushteve higjienike-sanitare.

Është kompetencë e autoriteteve komunale, sipas Nenit 3, të Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2016, që të lëshojnë vërtetimin mbi plotësimin e kushteve higjienike-sanitare.
Për deklarimin publik ku thuhet se nuk është kompetencë e komunave të mbikëqyrë dhe kontrollojë kopshtet private si dhe komuna nuk posedon listë të IEAPP-ve, MASH njofton se lista e të gjitha IEAPP-ve të licencuara publikohet faqen zyrtare të MASH dhe e njëjta është e qasshme për publikun dhe palët e interesuara”, thuhet në sqarim.

Mash në fund thotë se janë nnë kontakt që vazhdueshëm me DKA-të që bashkë të analizojmë gjendjen e IEAPP-ve dhe të dakordohemi për të zbatuar edhe më tej detyrimet që dalin nga legjislacioni në fuqi.

Comments are closed.