Muhamet Mavraj tregon kush fshihet pas Gjykatës Speciale

Profesori universitar, publicisti dhe botuesi Muhamet Mavraj, në emisionin “Imazh” të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka folur sot për intervistimin e presidentit Hashim Thaçi, i cili që tri ditë është duke dhënë intervistë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai ka thënë se kjo propozimaktakuzë ndaj Thaçit dhe të tjerëve është e dobët.

“Sot është dita e tretë e qëndrimit të Thaçit në Prokurorinë Speciale të Hagës. Dita e parë, sa di unë, ka kaluar pa pjesëmarrjen e Thaçit në debat. Vetëm debat juridik ndërmjet prokurores dhe këshilltarit ligjor të Thaçit, sepse ai nuk është i akredituar. Ato biseda nuk janë shteruar në ditën e parë dhe kanë vazhduar edhe në ditën e djeshme. Për sot nuk e di nëse po intervistohet Thaçi apo prokurorja dhe avokati po intervistojnë në lidhje me procedurat dhe këto shkeljet e qarta të ligjit që e kanë themeluar këtë Prokurorinë Speciale, Gjykatën Speciale, e ku pamë që Prokuroria Speciale i ka dhënë vetes kompetenca të cilat nuk ia kanë dhënë Kushtetuta dhe Kuvendi i Kosovës. Dhe ajo kompetencë pretendon edhe diktimin e Kosovës se çfarë nuk duhet të diskutojë në Shtëpinë e Bardhë ose diku tjetër në lidhje me debatet politike Kosovë – Serbi e që nuk është puna e saj fare”, ka thënë Mavraj.

Duke folur për themelimin e Speciales, për rrjedhat se si ka ardhur kjo gjykatë, Mavraj ka thënë se të gjitha procedurat për themelimin e saj kanë qenë tërësisht politike.

“Nuk e kanë natyrën e ndjekjeve të fajeve të luftës, por kanë qëllime të tjera larghedhëse. Këto po vazhdojnë qyshkur është shpallur pavarësia e Kosovës, por në dhjetëvjetëshin e fundit kanë qenë më intensive dhe kanë prodhuar efekte pa filluar fare puna e gjykatës, me debate, akuza publike dhe shpifje”, ka thënë Mavraj.

Ai ka shtuar se këto akuza dhe shpifje synim kanë pasur që Kosovën ta paraqesin si agresore dhe Serbinë si viktimë. Mavraj ka bërë me dije se Gjykata Speciale është projekt i thellë strategjik pro rus. Ai ka thënë se kjo gjykatë ishte kompromis i dhimbshëm për Kosovën.

“Rasti i Speciales, sa për BE-në, nuk do të ishte ngritur kurrë, por ShBA-ja mori pozicion të atillë që Kosova ishte me këmbë në qafë dhe ishte e detyrueshme, në njëfarë mënyrë, që vetë Thaçi u dashtë t’i motivojë deputetët që të votohet, duke e ditur se vetë është shënjestra kryesore dhe duke e ditur se ky do të jetë i ftuari i parë”, është shprehur Mavraj.

Ai ka thënë se në raportin e Dick Martyt shënjestra kryesore e Serbisë ka qenë Hashim Thaçi dhe çdo anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Kjo është koka, e pastaj zbresin në nivel të dytë në komandantët e zonave”, ka deklaruar Mavraj.

Duke folur rreth deklaratave të fundit të presidentit serb në raport me zhvillimet në Kosovë, Mavraj ka thënë se Vuçiqi ka qenë ministër i Millosheviqit.

“Është personi që i urdhëron përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Kuvendin e Kosovës që të dalin jashtë kur përmendet gjenocidi i serbëve të Bosnjës. Prirja e tij është për t’u paraqitur viktimë. Mbi këtë boshtin e viktimizimit kanë ardhur deri te kjo Gjykata Speciale”, ka thënë Mavraj, i cili e ka komentuar edhe rezolutën e cila këto ditë ka kaluar në Kuvend, e që ka të bëjë me mbrojtjen e vlerave të luftës.

“Rezoluta e Kuvendit të Kosovës ka të bëjë, thjesht, me mbrojtjen e vetes, sepse Kuvendi i Kosovës kurrë nuk do të ishte ngritur dhe nuk do të funksiononte pa ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje as përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk do të ishin aty pa luftën e UÇK-së dhe pa intervenimin ndërkombëtar që ka ndodhur këtu”, ka thënë Mavraj.

Comments are closed.