MYSAFIRËT E BEZDISSHËM TË MEJHANËS SONË TË ÇUDITSHME!

Ekuilibri i një shoqërie dhe një shteti janë gjykatat, por me kusht që ato të jenë të pavarura. Kosova në të gjitha raport-progreset e BE-së ka shënuar rënie drastike nga viti në vit pikërisht sa i përket (mos)pavarësisë së gjykatave

Nga Mehmet PRISHTINA

A mund të kemi sistem drejtësie të pavarur nëse prej përpara dihen vendimet që i nxjerrin gjykatat. Këtyre ditëve shumë po spekulohet dhe prejudikohet mbi vendimin e radhës së Gjykatës Kushtetuese mbi të ardhmen e procesit të formimit të qeverisë së re të Kosovës.  

Ata persona që i dinë prej përpara vendimet e gjykatave, qofshin ato penale apo kushtetuese, në fakt dëshmojnë se këto institucione të ashtuquajtura të drejtësisë janë kukulla dhe instrumente urdhërzbatuese të qarqeve e individëve të veshur me pushtet.

Ata persona që festojnë prej përpara vendimet gjyqësore që do të jenë në favor të tyre, tregojnë se sa poshtë e kanë varrosur demokracinë në Kosovës ata që për çdo ditë thirren deklarativisht në demokraci.

Ekuilibri i një shoqërie dhe një shteti janë gjykatat, por me kusht që ato të jenë të pavarura. Kosova në të gjitha raport-progreset e BE-së ka shënuar rënie drastike nga viti në vit pikërisht sa i përket (mos)pavarësisë së gjykatave.

Mbi këtë përvojë të keqe janë amnistuar dhjetëra e qindra keqbërës anë e mbanë Kosovës, të cilët vazhdojnë t’i bëjnë dëm në forma të ndryshme vendit tonë. Kjo falë vendimeve arbitrare dhe aspak objektive të gjykatave, të cilat ndryshe kanë vepruar me qytetarë të akuzuar që nuk kanë pasur lidhje politike-partiake, dhe ndryshe me ata që edhe nga pozita e të akuzuarve kanë imponuar rregulla, si të ishin punonjës të brendshëm të gjykatave(!).

Askush nuk mund ta prejudikojë një vendim gjyqësor dhe kjo më së paku duhet të ndodhë me vendimin e radhës së Gjykatës Kushtetuese. Por nëse i referohem një miku i cili tash së fundmi  kishte marrë një mesazh nga një mik i tij në të cilin paralajmërohej vendimi pro dekretimit të kryeministrit të ardhshëm, Hoti, atëherë vaj halli për (pa)varësinë gjyqësore, e cila shumë lehtë mund të shndërrohet në lodër që zbavit një rreth të ngushtë mysafirësh të dehur të mejhanes sonë, e lodhur dhe  mërzitur nga pijanecët e vonshëm që prishin rendin dhe qetësinë publike të të tjerëve.

Megjithatë, mbetet të presim deri më 29 maj dhe nuk do të donim që festa e mikut të mikut tim të ndodhë para kohe, sepse gjithçka e parakohshme pengon zhvillimin normal dhe prishë ekuilibrat.

Kosova përfundimisht duhet të jetë një shtet normal dhe i ekuilibruar.
   
Prishtinë, 15 maj.

Comments are closed.