Në garë për të qenë viktima!

Nga Mero Baze

Qeveria e Kosovës mund të humbasë sot votëbesimin në Parlament, pas një mocioni nga partneri i saj kryesor, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila u ndje e papërfillur nga kryeministri Albin Kurti, pas shkarkimit pa konsultim të ministrit të Brendshëm. Pas kësaj, kryeministri Kurti e thelloi krizën, duke mbajtur dhe mbledhjet e Qeverisë pa prezencën e LDK, siç ishte rasti i heqjes së taksës me Serbinë, çka nënkuptonte një akt ndarje de-facto të Qeverisë.

Por pavarësisht kësaj, LDK ka pasur një propozim paqeje, që fillimisht u deklarua nga Isa Mustafa, para mocionit, dhe sot gjatë mbledhjes së Kuvendit, nga ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni. Ai kërkoi tërheqjen e vendimit për shkarkimin e Agim Veliut dhe rikthim të normalitetit në qeverisje.

Vetëvendosja nuk e pranoi ofertën, duke u kërkuar që nëse ka vullnet, të shprehet me votë, duke tentuar t’i poshtërojë përsëri, pa marrëveshje.
Kjo nënkupton fundin e Qeverisë, të cilën me sa duket e duan të gjithë.

I pari e do Albin Kurti. Ai jo vetëm që e do, por e prodhoi me gjakftohtësi këtë skenar, kur i vuri partnerët në Qeveri para zgjedhjes: O të ulin kokën e ti binden atij, ose të marrin përgjegjësinë e prishjes së Qeverisë në mes të epidimesë. Një veprim tipik populist, një kalkulim mizor, i papërgjegjshëm dhe i lig, i ngjashëm me ato që kanë bërë nacionalisto-socialistët gjermanë në vitet ‘20 të shekullit të kaluar dhe shokët e tyre në Itali, në rrugëtimin drejt pushtetit të plotë, me “metoda demokratike”.

Albin Kurti provoi që shkarkimi i Veliut ishte një mekanizëm i menduar krize, dhe jo ndonjë problem personal i shkaktuar nga keqkomunikimi me të, ao nga përdorimi i tij prej kundërshtarëve. Nëse do ishte kështu, ai do ta kishte tejkaluar dhe do ta rikthente, pas ofertës së LDK për paqe. Por për Albin Kurtin, mustaqet e Agim Veliut vlejnë më shumë se kriza e epidemisë dhe shkatërrimi i Kosovës. D.m.th, ai vdekjen e Kosovës e pranon e Agim Veliun nuk e ripranon në Qeveri. Kjo është mizore.

Dhe e keqja nuk ndalet këtu. E keqja është se pas kësaj mizorie, Albin Kurti kërkon të marrë dhe rolin e viktimës në këtë histori. Duke tentuar të viktimizohet, ai shpreson se shpëton nga përgjegjësia e përballjes me epideminë e koronavirusit dhe është i shlodhur deri në zgjedhjet e radhës, të presë përsëri postin e kryeministrit me “marshimin mbi Romë”.

Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu po kërkon pa mundim, si gjithmonë, rolin e viktimës. Është e vërtetë që ajo u fye dhe u tentua të poshtërohet nga Albin Kurti, duke e trajtuar si parti që ka gjithësej një deputet, e jo si partner, që ka veç një deputet më pak se Albin Kurti, por dhe ajo dukej sikur mezi e kishte pritur këtë histori.

Ky zhvillim duket se do prodhojë një ndarje të re të lehtë brenda saj, duke humbur mbretershën e fushatës elektorale, Vjosa Osmanin, e cila tani po sillet më shumë si nënkryetare e VV-së, se sa e LDK-së.

Por LDK kishte shans të shmangte viktimizimin që i bëri Kurti, duke tentuar ta detyronte atë të gëlltiste vendimin që kishte marrë.

Por duket se LDK di ta bëjë më mirë se kushdo tjetër rolin e viktimës, dhe e bëri. Kurti lutej që ajo mos t’i bënte presion, ajo lutej që Kurti të mos pranonte pazar. Kjo shihej qartë sot dhe në Kuvend, në përpjekjet e sinqerta, por vetmitare të Anton Çunit.  Tani ngelet të shihet, sa zotësi do të ketë ta përdorë këtë rol.

Presidenti Hashim Thaçi, edhe pse është në qendër të teorive konspirative për këto zhvillime, po bën kujdes të paraqitet si viktimë e një problemi të brendshëm të koalicionit. Partia e tij është jashtë këtij debati, por ai personalisht po viktimizohet nga Albin Kurti, si ideator i këtij zhvillimi, për shkak të marrëveshjes Serbi- Kosovë, nën presionin e SHBA.

Qesharake është se Albin Kurti nuk është kundër marrëveshjes, por është kundër Hashim Thaçit si mbartës i përgjegjësive të presidentit në këto bisedime. Thjesht do të jetë në vend të atij. Dhe për këtë, po përpiqet të provokojë një ndarje mes SHBA e Europës në këtë histori, me qëllim që bisedimet të dështojnë, çka do të jetë gjëja më e pasigurtë për të ardhmen e Kosovës.

E vërteta është që Hashim Thaçi është partneri kryesor në bisedimet e drejtura nga SHBA, ndërsa Kurti po kërkon relativizimin e rolit të tij. Këtë po e bën dhe me metoda të ulëta, duke bërë akuza të rënda pa asnjë fakt, për ndarje të Kosovës apo shkëmbime territoresh, që fyejnë rëndë SHBA, ndërkohë që ai është kryeministër dhe nëse ka gjëra të tilla, ai mund t’i bëjë publike. Nëse nuk ka, ai thjesht po e viktimizon dhe Hashim Thaçin, duke ja hequr dhe atij ndonjë kusur që ka në këtë histori, vetëm se do të largohet nga kryeministër si “viktimë” e një komploti amerikan kundër Kosovës. Kurrë se ka thënë këtë gjë për Rusinë.

Debati i sotëm në Kosovë, ku të gjithë kanë qëllim të dalin nga salla e Kuvendit si viktima, është shenjë e fortë e paburrërisë për t’i dalë zot vendit në ditët e tij më të vështira dhe për të qarë para shqiptarëve për hallet e tyre, dhe jo për hallet e qytetarëve.

Ideja se duke dalë si viktima nga ky debat, qytetarët do t’i mëshirojnë, është një naivitet që do prodhojë më shumë urrejtje, se sa mëshirë.

E vetmja viktimë në këtë histori është Kosova, dhe të vetmit përgjegjës janë aty në atë sallë.
I pari është Albin Kurti, që e provokoi këtë krizë me vetëdije dhe mezi pret të iki. Pas tij  dhe të tjerët, që u kujdesën secili për pjesën e vet të viktimës.

Kjo është e vetmja gjë që do mbahet mend në historinë e re të Kosoës. 23 marsi i 1989 iu hoqi autonominë, 24 marsi i 1999 iu ktheu lirinë, ndërsa 25 marsi i 2020 iu vulosi papërgjegjësinë që ata kanë për Kosovën.
Ata që kanë qejf të dalin si viktima nga kjo histori, viktima do të jenë. Por viktima të egos së tyre për pushtet. Jo viktima për Kosovën. Heronj kurrën e kurrës!

Comments are closed.