NISMA me standarde të dyfishta, u ankuan në PZAP edhe për votat e diasporës që i shkuan VV-së

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të gjashtë tetorit, Nisma Socialdemokrate në koalicion me AKR-në e PD-në, zgjodhën që të drejtohen në PZAP me shpresën që ky institucion do t’i merr për bazë ankesat e tyre, e që do të mund të ndikojnë diçka që këta të kalojnë pragun zgjedhor.

Ky koalicion, përveç për votat e ardhura nga Serbia e për rinumërim, ishin ankuar edhe kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme, nga ku kanë propozuar që të ju aprovohet si e bazuar ankesa që ky institucion t’i shpallë të parregullta 6.544 votat që kishin ardhur nga diaspora, e të cilat veç ishin numëruar. Për to ishte kërkuar edhe që të largohen nga rezultati përfundimtar, shkruan Express.

Këto vota që kishin shkuar në total gati për Lëvizjen Vetëvendosje, e patën thelluar nën prag gjendjen e koalicionit NISMA-AKR-PD.

Edhe pas shpalljes së rezultateve, koalicioni kishte insistuar se votat jashtë Kosovës kishin ardhur në vend jashtë afatit kohor, e në këtë mënyrë të ato nuk do të duhet të pranoheshin.
“Koalicioni NISMA-AKR-PD konsideron se me këto vota të ardhura jashtë afatit ligjor, jemi dëmtuar direkt në rezultatin tonë zgjedhor, ngase sikur të zbatohet drejtë ligji material dhe procedural i cili në mënyrë të veçantë dhe shprehimore ka përcaktuar afatet ligjore të pranimit të votuesve jashtë Kosovës, ne kemi arritur kuotën e votave mbi 5%”, thuhet në ankesën e këtij koalicioni.

Ankesa e Nismës

Mirëpo, në vendimin e PZAP-së kjo ankesë ishte kthyer si e pabazuar, me arsyetimin se për këtë çështje kishte vendosur paraprakisht Gjykata Supreme e Kosovës.

Megjithatë, nga koalicioni me kandidat për kryeministër Fatmir Limajn kanë thënë se pavarësisht kësaj do të ankohen pastaj në Gjykatë Supreme, e edhe në Gjykatën Kushtetuese.

NISMA-AKR-PD ishin ankuar në PZAP edhe për votat e Serbisë, si dhe që disa vendvotime të shkonin në rinumërim.

Ky institucion kishte vendosur në favor të tyre, mirëpo, situata mund të ndryshojë nëse Supremja brenda afatit 72 orësh vendos ndryshe.