NJË TAKSIM, I NJË FORMATI TJETËR, A MUND TA BËJNË SËRISH SHQIPTARËT?

Antropologët dhe udhëpërshkruesit evropian e botërorë që kanë vizituar viset e shqiptarëve kanë mundur të pikasin disa karakteristika që i atribuohen profilit etno-psikologjik të banorëve të këtushëm. Ndër ato karakteristika që ka zënë vend në notesin e këtyre të huajve, gjithsesi ka qenë edhe karakteri i shqiptarëve, të cilët, sipas tyre, janë të shkëlqyeshëm në punët që i bëjnë si individ, por tepër të pasuksesshëm si grup, si ekip. Me këtë temë është marrë edhe korifeu i mendimit shqiptar, Faik Konica, i cili në një ese të thuktë përshkruan karakterin  individualist të shqiptarëve, duke e krahasuar atë me konzervatizmin anglez

Nga Mehmet PRISHTINA

Historia përsëritet, prandaj jo rastësisht thuhet se ajo është mësuesja e jetës. Edhe shqiptarëve iu përsëritet historia, por shtrohet pyetja sa janë treguar ata nxënës të mirë ndaj kësaj mësuese. Hiq vitin 1999 kur ndodhi kthesa më e madhe në historinë e shqiptarëve, ku Pavarësia e Kosovës ishte lajtmotivi i kësaj kthese, në raste të tjera shqiptarët, jo gjithmonë për fajin  e tyre, janë ndodhur edhe në zona gri, ku reflektorët  historisë kanë nxjerrë më tepër hije se dritë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët nuk arritën të bëhen bashkë rreth një kauze fituese dhe, për pasojë, pozicioni i Shqipërisë në hartën gjeopolitike të Jaltës u vendos në bllokun politik që solli ideologjinë në dëm të çështjeve të pazgjidhura kombëtare.

Kështu ndodhi edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912), kur tendencat dezintegruese haxhiqamilçe, sidomos në Shqipërinë e Mesme, nuk mund të shkëputeshin nga  sindromi i adhurimit të ‘Babë Dovletit’, ndërkohë që forcat serbo-malazeze po bënin kërdi në Lumë e në viset tjera shqiptare, duke depërtuar deri në Durrës. Shqipëria që ishte ëndërruar nga Rilindasit si një ‘Zonjë e madhe’ që nuk po mund t’iu bënte ballë grykësive të brendshme për pushtete bajraktarësh dhe pretendimeve të jashtme grabitqare, që po punonin të vendosnin rregulla e tyre të hegjemonisë fqinje mbi tokat e shqiptarëve.

Edhe historia më e re na jep prova të sigurta se shqiptarëve nuk iu mungonte sensi i sakrificës sublime për interesa të larta kombëtare, por lufta e fundit (1998/99) dëshmoi edhe një tendencë të mosunifikimit të veprimeve ushtarake në terren, si pasojë e mospajtimeve politike e ideologjike të grupeve që organizuan rezistencën e armatosur kundër okupatorit serb. Tash më të gjithë e dinë gjenezën e atyre mospajtimeve, por ajo që sot pak flitet është fakti se pasojat e atyre mospajtimeve u bartën edhe në skenën politike të pas luftës në Kosovë, madje deri në ditët e sotme, një fakt ky që nuk flet mirë për domosdonë e krijimit të një kulture më të avancuar shtetndërtuese.

Antropologët dhe udhëpërshkruesit evropian e botërorë që kanë vizituar viset e shqiptarëve kanë mundur të pikasin disa karakteristika që i atribuohen profilit etno-psikologjik të banorëve të këtushëm. Ndër ato karakteristika që ka zënë vend në notesin e këtyre të huajve, gjithsesi ka qenë edhe karakteri i shqiptarëve, të cilët, sipas tyre, janë të shkëlqyeshëm në punët që i bëjnë si individ, por tepër të pasuksesshëm si grup, si ekip. Me këtë temë është marrë edhe korifeu i mendimit shqiptar, Faik Konica, i cili në një ese të thuktë përshkruan karakterin  individualist të shqiptarëve, duke e krahasuar atë me konzervatizmin anglez.

Egocentrizmi dhe individualizmi i shqiptarëve është përshkruar madje edhe si një veti e garuesve në sporte individuale, prandaj jo rastësisht shqiptarët shquheshin, sidomos gjatë kohës ish Jugosllavisë,  me fitore që arriheshin nëpër olimpiada botërore, prej nga ktheheshin me medalje të arta e të argjendta.
Kjo prirje e shqiptarëve për të vepruar pa një konsensus minimal, është manifestuar edhe në praktikat jo të mira politike në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi të Jugut e gjetiu. Rrugëtimi i gjatë në betejat e vështira politike në Shkup, Beograd e Podgoricë, jo gjithmonë ka pasur një pikëtakim dhe një agjendë të vetme kombëtare dhe për pasojë shqiptarët gjithmonë kanë dalë më dobët politikisht kundrejt rivalëve të tyre sllavë. 

Tash së fundi, kjo dobësi u shpërfaq edhe tek forcat politike shqiptare në Mal të Zi, të cilat nuk arritën të ndjekin shembujt pozitivë të vëllezërve të tyre në Serbi të Jugut dhe në Maqedoni,  për një unitet më të madh brendakombëtar. 

Sa herë që shqiptarët nuk bëhen bashkë rreth kauzave kombëtare, oponentët e tyre sllavë fuqizojnë pseduoargumentet e tyre se gjoja shqiptarët nuk janë të aftë të bëjnë shtet. Këto teza sllave kanë qenë prezent në të gjitha projektet gjenocidale sllave, duke i prezantuar shqiptarët si element i padenjë për të udhëhequr dhe nga kjo premisë ka lindur dhe zhvilluar aspirata e tyre për dominim mbi shqiptarët.

Historia e shqiptarëve ka edhe plot shembuj pozitivë që nxjerrin nga errësirat e kohërave dritën e virtyteve. Po i marrim vetëm dy momente. 

Momenti i parë: kthimi i Skënderbeut në Krujë e gjen vendin të përçarë e të bajkraktarizuar në oborre princërish që nuk komunikonin dhe bashkëpunonin në mes veti për fatet e përbashkëta të atdheut. Por me zbritjen  e Gjergj Kastriotit  Skënderbeut në tokën e Arbërit, këto prirje përçarëse morën fund, kurse vendi u homogjenizua për herë të parë brenda një projekti që më vonë do të quhet shteti i Skënderbeut. Pa këtë projekt, lufta heroike e shqiptarëve kundër ushtrive Osmane, e udhëhequr nga kryetrimi Skënderbeu, nuk do të kishte sukses. Kjo luftë do të ishte e pakurorëzuar me lavdinë historike, sikur Shqipëria mesjetare të vazhdonte të vegjetonte nën trysninë e tendencave dezintegruese.

Momenti i dytë: Takimi i famshëm i Taksimit. Pas mosmarrëveshjeve në mes të xhonturqve dhe deputetëve shqiptarë në Parlamentin Osman, erdhi deri te një këshillim ndërmjet Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës ku u vendos të mbahej një takim i një grupi personalitetesh të jetës politike shqiptare. Takimi u bë në mesin e muajit janar  1912, nën kryesinë e Ismail Qemalit, në shtëpinë e Syrja Vlorës, në lagjen Taksim të Stambollit. Në të morën pjesë, përveç Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës e Syrja Vlorës, edhe Myfid Libohova, Esat Toptani, Aziz Vrioni, Bedri Pejani, Mustafa Kruja e të tjerë.

Mbledhja e Taksimit konfirmoi edhe njëherë argumentin  se shqiptarëve, për të siguruar të drejtat kombëtare e politike, nuk u kishte mbetur rrugë tjetër përveç organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme me ç’rast u diskutua edhe për aspektet organizative të lëvizjes së armatosur në Shqipëri.

Ngjarjet e mëvonshme treguan se kryengritjet antiosmane si dhe vet akti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (28 nëntor 1912) ,nuk do ta kishin suksesin dhe shkëlqimin e duhur, sikur të mungonte organizimi paraprak politik i parisë shqiptare, që u arrit me unifikimin e qëndrimeve në takimin e Taksimit.
Tani pas 108 viteve do të dukej paksa paradoksale që elitat politike shqiptare të ndjekin me përpikëri modelet e organizimit, siç ishte takim i i Taksimit. Por aspak nuk do të tingëllonte paradoksale përpjekja që ky takim të shërbejë si motivim për një frymë përbashkuese e brendaintegruese në mes të shqiptarëve. 

Fundja pse mos të përdoret ky takim historik si burim frymëzimiedhe nga ana e politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, tani në prag të formimit të qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet e15 korrikut. Fitorja politike e shqiptarëve që u valorizua me 32 mandate deputetësh në Parlamentin e ardhshëm, nuk duhet të ngelë vetëm trofe elektoral i partive politike, por më tepër se kaq, duhet të shndërrohet në motor lëvizës të kauzës së përbashkët kombëtare shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo kauzë fare lehtë mund të arrihet nëse liderët politik shqiptarë gjejnë disa pika të përbashkëta që do të shërbenin si një platformë negociuese me mandatarin e ardhshëm. Nëse tani për tani një prej atyre pikave, tash më fare lehtë mund të identifikohet përmes idesë për kryeministër të parë shqiptarë, edhe pikat tjera nuk e kanë vështirë të integrohen brenda një mozaiku të interesave shqiptare, me kusht që liderët shqiptarë të flasin me një zë në tryezat negociuese me palën maqedonase.

Pra, shembuj pozitiv nga historia kemi mjaftueshëm për të nxitur një energji pozitive në punët e shqiptarëve, me kusht që talentin individualist ta shkrijnë në prirjen kolektive dhe ekipore të suksesit.

Prishtinë, 3 gusht, 2020!

Comments are closed.