https://www.youtube.com/watch?v=8YaLwF1YCnI

“PDK do ta merr postin e presidentit dhe do të evitohen zgjedhjet”

Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka mohuar qe si opsion i saj është edhe shkuarja në zgjedhje, por për njohësit e çështjeve politike kjo nuk po duket bindëse, ata thonë se për postin e Presidentit, PDK mund te futet në Qeveri.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, mbeten opsion përderisa ka brishtësi në koalicionin aktual qeverisës. Por, sipas njohësve të zhvillimeve politike, ato mund të mos jenë aq të ngutshme, si interpretohen.

Për gazetarin Bekim Kabashi, pozicioni i PDK-së gjatë gjithë kohës ka qenë i paqartë, pavarësisht që ata janë në opozitë.

“PDK-ja pavarësisht se zyrtarisht është në opozitë ka pasur një pozicion të paqartë në raport me qeverinë. Këtë e kanë bërë për shkak të rrethanave politike në vend e sidomos për shkak të çështjes së presidentit…Nëse PDK merr postin e presidentit përmes AAK-së dhe NISMA-s, ajo nuk do ta çoj vendin në zgjedhje”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bekim Kabashi.

Ndërsa, politologu, Ramush Tahiri beson qe Partia Demokratike e Kosovës, do bëhet pjesë e Qeverisë, dhe sipas tij kjo parti do negocioj për postin e presidentit.

“PDK në kuadër të taktikës së vet do të futet në qeveri dhe do të negociojë pozitën e presidentit dhe do të sigurojë votat e nevojshme për mbajtjen e qeverisë. Unë nuk konsiderojë se PDK-së në këtë situatë do t’i konvenojnë zgjedhjet pasi është në ristrukturim të brendshëm dhe ende nuk e ka kompletua platformën opozitare”, deklaroi Ramush Tahiri.

Qeveria Hoti vazhdimisht është kritikuar për brishtësinë e saj, për shkak të mungesës së votave në Kuvend. Kurse plotësimi i koalicionit me PDK-në, është parë në vazhdimësi si fuqizim i kësaj qeverie.

Comments are closed.