Përfundon sezoni në La Liga për Griezmannin

Ka përfunduar sezonin 2019/20 në La Liga për sulmuesin e Barcelonës, Antoine Griezmann, i cili e ka pësuar një lëndim muskulor që do t’i marrë kohë për t’u riaftësuar.

Si pasojë, Griezmann nuk do të jetë në gjendje t’i ndihmojë Barcelonës në dy ndeshjet e fundit në La Liga, kundër Osasunas të enjten dhe kundër Alavesit të dielën.

Sulmuesi francez u detyrua ta braktisë fushën në përfundim të pjesës së parë në fitoren e Barcelonës 1-0 kundër Real Valladolidit të shtunën.

Testet mjekësore të bëra mëngjesin e së dielës tregojnë se ai e ka dëmtuar muskulin në këmbën e djathtë. Klubi katalonas e ka konfirmuar lëndimin e tij por nuk ka treguar saktësisht se sa kohë do t’i duhet për t’u rikuperuar.

Synimi i Griezmannit është të riaftësohet deri më 8 gusht, për ndeshjen e kthimit në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve që Barça e zhvillon kundër Napolit në “Camp Nou”.

Comments are closed.