Policia e Shqipërisë e ndalon veteranin e UÇK-së në bazë të fletarrestit të Serbisë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka njoftuar se policia e Shqipërisë e ka ndaluar veteranin e UÇK-së Murtez Kastrati.

Sipas kreut të OVL-së Gucati, ky ndalim vjen si pasojë që Serbia ka dërguar emrin e veteranit Murtez Kastrati nga Lipjani, dhe emrat e shumë ish pjesëtarëve të UÇK-së në Interpol.

“Nga burimet që kemi marrë nga Serbia këto ditë ka bërë një listë të re me emra të ish pjesëtarëve të UÇK-së, andaj ju bëjmë apel bashkëluftëtarëve që këto ditë të mos lëvizin dhe të mos dalin në shtet tjera” ka shkruar Hysni Gucati.

Gucati ka kërkuar që Shqipëria sa më parë ta lirojë veteranin Murtez Kastratin, dhe të mos i marrë parasysh veprimet dhe listat e dërguara në Interpol nga ana e Serbisë, si dhe ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të ndërmerr masa sa më herët për të ndaluar këto veprime.

Lidhur me ndalimin e veteranit Murtez Kastrati nga ana e Policisë së Shqipërisë ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës dega në Lipjan, të cilët kanë njoftuar se veteranit Kastrati është ndaluar gjatë kohës kur i njëjti ishte duke shkuar në Shqipëri me familjen e tij për pushime.

Sipas OVL-së në Lipjan, Murtez Kastrati është ndaluar nën akuzat për Krime Lufte në Kosovë, në bazë të kërkesës së Serbisë.

Të njëjtit kanë kërkuar reagim nga ana e Institucioneve vendore e ndërkombëtare në mënyrë që të lirohet Murtez Kastrati.

Comments are closed.