Presidenti Thaçi e dekoron me titull “Ambasador i nderit” Rabinin e Shqipërisë

Presidenti Hashim Thaçi e ka dekoruar me titullin “Ambasador i Nderit i Republikës së Kosovës” Rabinin e Shqipërisë, Yoel Kaplan, i cili i erdhi në vizitë vendit sot.

Lajmin e ka bërë të ditur i pari i Kosovës nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, duke dhënë detaje të takimit ndërmjet rabinit Kaplan dhe një delegacioni gazetarësh e biznesmenësh nga radhët e komunitetit hebre në Nju Jork.

“Sot pata kënaqësinë të pres Rabinin e Shqipërisë, z. Yoel Kaplan bashkë me një delegacion gazetarësh dhe biznesmenësh të komunitetit hebre nga Neë York-u, me të cilët biseduam për historinë e Kosovës dhe të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Izraelit, që kanë kulmuar me njohjen reciproke dhe përgatitjet për vënien e marrëdhënieve diplomatike, hapjen e ambasadave, si dhe të ardhmen e marrëdhënieve në mes të dy shteteve por edhe në mes dy popujve në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e presidentit.

Shefi i presidencës e ka pranuar edhe një instrument muzikor izraelit, të njohur si ‘Briri i Lirisë’, i cili sipas tij është simbol i arritjeve të Kosovës në pjesën e lirisë.

“Popujt tonë i lidhin aspiratat e përbashkëta për liri e barazi, për të cilat jemi angazhuar përgjatë historisë dhe do të vazhdojmë të punojmë që mbi to t’i ndërtojmë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e përbashkët në të gjithë sektorët dhe për të mirën e të gjithëve. HTH”, shkruan tutje Thaçi.

Comments are closed.