Prezanton albumin e saj të dytë, Rita Ora stonon në New York

Rita Ora sapo ka nxjerrë albumin e saj të dytë të titulluar Phoenix, por prezantimi nuk ka qenë ndër më të mirët. Diva e Pop-it ka performuar në New York përgjatë festës së ditës së Falënderimit, por performanca e saj ka rezultuar pothuajse një katastrofë.

Të kënduarit me play-back kësaj rradhe i qëlloi si shaka e hidhur, duke e gjetur veten në mospërputhje me regjistrimin e këngës “Let you love me”, në disa momente. Për këtë stonaturë rrjetet sociale nuk e kanë falur, duke ironizuar e satirizuar mbi dështimin e këngëtares.

Një rrëshqitje e keqe për këngëtaren britanike, e cila që kur ka shpërthyer në vitin 2012, ka korrur sukses pas suksesi, ku kryesisht me performancat LIVE e ka mësuar publikun tërësisht me tjetër cilësi, duke i dhuruar emocione të forta.

Megjithatë, deri tani Rita ka arritur të shesë 14 milion disqe, dhe të marrë 1,3 miliard shikime online për 5 këngët kryesore të albumit të saj, vetëm në ditët e fundit! Vetëm hiti “Your Song”, i shkruar nga Ed Sheeran, i ka kaluar 352 milion shikime.

“Një ndër ndjesitë më çliruese për mua është të luaj dhe të krijoj muzikë. Ky album është një album i vërtetë dashurie dhe ka qenë e rëndësishme për mua ta kompozoj sipas mënyrës time. E vlerësoj shumë dashurinë dhe mbështetjen e atyre që kanë bashkëpunuar me mua në bërjen e tij, dhe që më kanë lejuar të krijoj diçka për të cilën të ndjehem me të vërtetë krenare”, deklaroi Rita Ora.