Prishtina fiton Kupën e Kosovës, në finale mposht Ballkanin

FC Prishtina është fituese e Kupës së Kosovës për sezonin 2019/2020, duke e mposhtur 1:0 Ballkanin në finalen e zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, të mërkurën pasdite.

Kjo ndeshje u zhvillua pa tifozë, shkaku i masave të vendosura kundër përhapjes së COVID-19.

Goli i vetëm i kësaj finale u shënua në pjesën e parë. Ishte sulmuesi Otto John që bëri një lëvizje të mirë në zonë, duke kaluar mbrojtësin Visaj Berishën, për të mposhtur pastaj portierin Ruxhi. E gjitha kjo ndodhi në minutën e 20′.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, Prishtina shumë lehtë ka mundur të dyfishojë epërsinë, por Meriton Korenica humbi një mundësi të mirë shënimi.

Pjesa e dytë ishte gati e barabartë, me Ballkanin që tentonte të arrinte golin e barazimin, por një gjë të tillë nuk arritën ta bënin.

Në fund, FC Prishtina 1:0 Ballkani, me skuadrën e Armend Dallkut që fiton për të shtatën herë Kupën e Kosovës.

Skuadra kryeqytetase me këtë sukses, siguron pjesëmarrjen në fazën kualifikuese të Ligës së Evropës për sezonin e ri, në anën tjetër, Ballkani edhe pse ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm, mbetet pa asnjë trofe.

Comments are closed.