Qorrolli: Do të minohej shtetësia e Kosovës nëse s’pranohet vendimi i Kushtetueses për dekretin e Thaçit

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër duhet të pranohet nga të gjitha palët. Nëse s’bëhet, do të minohet shtetësia e Kosovës, ka vlerësuar Vigan Qorrolli, ligjërues në Fakultetin Juridik.

Sipas Qorrollit, dekreti i Thaçit është jokushtetues, por nëse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosin se ai është kushtetues “duhet të ketë forcë të fuqishme intelektuale për të ndërruar precedentin e 2014-s” kur VLAN-it nuk i ishte lejuar që të merrte kryetarin e Kuvendit, por që ajo pozitë i takon vetëm partisë apo koalicionit fitues të zgjedhjeve.

“Në këtë rast, pres të jetë ‘win-win’ me dy fitues. Besoj se dekreti është jokushtetues sepse shmang normën e nenit 95.5 që thotë se partia që ka fituar apo koalicioni që ka fituar, dhe fjala fituar nënkupton vetëm certifikimi nga KQZ mund të bëjë qeverinë. Nëse kjo gjykatë, me përbërje të re, për dallim nga 2014-a, duhet forcë e fuqishme intelektuale për të ndërruar precedentin e 2014-s, do të duartrokasim në anën tjetër sepse Kushtetuta është e njëjta. Ajo ndryshohet vetëm nga Kuvendi. Procese politike që do të minojnë shtetësinë e Kosovës, nëse nuk pranohet rezultati. Nënkupton që shtetndërtimi ynë mbetet në vendnumërim. Republika jonë, me deklaratën e pavarësisë dhe me Kushtetutën e 2008-s janë të mishëruara në atë që njihet si demokraci kushtetuese. Gjithçka buron nga Kuvendi që zgjedh qeverinë dhe Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai në Express Intervistën.

Sa i përket skenarëve për vendimin e mundshëm të Gjykatës Kushtetuese, Qorrolli ka thënë se “skenari i parë është me dy palë fituese” e tjetri që “që të shpallet jokushtetues”.

“Kjo është që dekreti të shpallet jokushtetues dhe t’i jepet një afat i lejuar zotit Kurti që ta dorëzojë mandatarin. Ai s’ka abdikuar në letrat e tij, dhe abdikimi nënkupton heqje vullnetare. Skenar i dytë është të shpallet jokushtetues, sepse s’ka vlerë referente në Kushtetutë dhe në aktgjykimin e 2014-s. Dekreti i referohet vetëm neneve dhe pa specifikë për fjalën dhe pastaj të urdhërojë Kuvendin të gjejë zgjidhje me konsensus. Pasi është utopi, GJK-ja duhet të urdhërojë dalje nga ngërçi, por duhet të arsyetojë fort për shkuarje në zgjedhje pa konsensus politik, eventualisht nëse është jokushtetues, ai duhet të lejojë vetëm Kurtin, partisë fituese, të formojë qeverinë. Kurti s’mund të jetë më kryeministër. Është shkarkuar. Duhet të arsyetohet fortë e të gjendet rrugëdalje apo eventualisht që GJK-ja të thotë se më 2014 kishte dhënë aktgjykim valid dhe ekzistencial për zgjedhjen e qeverisë së re”, ka shtuar Qorrolli.

Comments are closed.