Qytetarët presin votimin e Projektligjit që do t’iu mundësonte t’i marrin një pjesë të mjeteve nga Trusti

Përmes një reagimi Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur  kundër idesë së Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e 10% të mjeteve nga Fondi i Kursimeve pensionale. Në reagimin e FMN-së thuhet se kjo s’do të ndikonte në zvogëlimin e pensioneve të ardhshme dhe do të kufizonte madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit. Në anën tjetër qytetarët llogarisin në tërheqjen e Trustit e njohësit e ekonomisë paralajmërojnë se kjo praktikë rrezikon të përsëritet nga Qeveritë në të ardhmen.

Nga Instituti RIINVEST pajtohen me të gjeturat e kundërshtimin e FMN-së dhe paralajmërojnë se tërheqja e 10% të Trustit rrezikon të bëhet praktikë në Qeveritë që do të vijnë.

“Më këtë masë mund të krijohet një precedent i rrezikshëm që mund ta përdorin edhe qeveritë tjera për t’iu mundësuar qytetarëve t’i tërheqin mjetet e tyre para kohe. Kjo do të ishte e rrezikshme ngase siç e ka thënë edhe FMN, kjo kategori mund të shndërrohet në një barrë sociale për shoqërinë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Visar Vokrri, përcjell Telegrafi.

E qytetarët e mirëpresin tërheqjen e Trustit dhe bëjnë thirrje që i njëjti të votohet në Kuvendin e Kosovës.

“Do ta shfrytëzoj këtë mundësi. Mendoj se është punë e mirë të futen në qarkullim disa dhjetëra miliona euro. E ndihmon ekonominë në këtë krizë”, deklaron qytetari Muharrem Mahmutaj.

“Një pjesë e madhe e qytetarëve kanë nevojë t’i tërheqin ato mjete. Besoj se kjo iniciativë është e mirëseardhur për çdo qytetarë të Kosovës”, deklaroi qytetari Fatmir Kajtazi.

“Patjetër që duhet të votohet. I ndihmon popullit dhe bizneseve”, shprehet qytetarja Nurije Isufi.

Me kërkesë të Shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi është thirrur seancë e jashtëzakonshme për ditën e hënë, ku për herë të shtatë do të hidhet në votim Projekt-ligji për rimëkëmbje ekonomike e ku përfshihet edhe tërheqja e Trustit pensional./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Comments are closed.