Ramiz Kelmendi:Ka mungesë të miellit, të intervenohet me rezerva shtetërore

Pas paraqitjes së pandemisë COVID-19, biznesmeni i njohur në vend, Ramiz Kelmendi, ka thënë se bizneset po ballafaqohen me kërkesën e shtuar për disa artikuj themelorë që nevojiten për familjet në vend.

Deri tash, sipas tij, ka mungesë të miellit, që është reduktuar për shkak të kufizimit të lëvizjes së mallrave nëpër shtete të ndryshme dhe ngadalësimit të importit.

Kelmendi ka kërkuar nga institucionet e shtetit që ta shpallin gjendjen e jashtëzakonshme për të dalë nga kriza dhe zvogëluar koston financiare që aktualisht është tash.

“Ka mungesë momentalisht të miellit, ndërsa sa iu përket produkteve të tjera jemi në një fazë të mbulimit të kërkesave të përnjëhershme siç nuk kanë qenë deri më sot… Koronavirusi është një epidemi regjionale, botërore. Të gjitha ato shtete që janë më shumë të prekura kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, në një farë forme kanë tërhequr nga shitja dhe kanë kufizuar eksportin e produkteve strategjike, për të cilat ato produkte u nevojiten qytetarëve të Kosovës. Kanë vendosur, po ashtu, moslëvizjen e lirë të qytetarëve, vetëm të transportit të mallrave.
Mirëpo edhe vozitësit, të cilët po lëvizin nëpër shumë firma nëpër botë, Evropë dhe Ballkan, nuk janë duke punuar. Prandaj, është ndalur eksporti nga shtetet e ndryshme, të cilat e kanë kufizuar eksportin dhe nuk kemi me çka t’i sjellim mallrat në Kosovë. Pastaj, rreziku i vozitësve që të futen në karantinë e ka shtuar në masë të madhe zvogëlimin e atyre vozitësve të cilët kanë qenë në dispozicion.
Sigurisht se nuk ka vend për panik, mirëpo gjithnjë ka vend për pakujdesje që çdo familjar të kujdeset për mundësinë e ndonjë shfaqjeje të mungesave të caktuara për një kohë, por jo më shumë se 45-60 ditë”, thotë Kelmendi për KosovaPress.

Ai ka ftuar qeverinë që të fillojë të intervenojë me rezervat e shtetit në mënyrë që të zvogëlohet paniku tek qytetarët dhe të zvogëlohet mundësia e bartjes së koronavirusit.

“Pra, nuk kemi miell në vazhdimësi. Kemi miell që po arrin herë pas here, por ajo më shumë po nxit panik. Andaj, me këtë rast unë kisha shfrytëzuar rastin, që ta ftoj Qeverinë e Kosovës që të intervenojë nga rezervat shtetërore, për çka edhe janë të synuara, në mënyrë që ta zvogëlojmë panikun te qytetarët, ta zvogëlojmë mundësinë e bartjes së koronavirusit për arsye se qytetarët, duke shkuar për të blerë miell, nuk po mund ta ruajnë distancën, nuk po përdorin mjete mbrojtëse sipas direktivave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Andaj, paraqitet si mundësi e vatrës për transferin e koronavirusit. Qeveria ishte dashur që me rezervat e saj të bashkëpunojë me qendrat tregtare dhe me të gjithë tregtarët e mundshëm në mënyrë që të mbulojë kërkesat të cilat nuk do të ishin ato çfarë janë tani”, thotë ai.

Pronari i kompanisë “Elkos Group”, po ashtu, po apelon që vendi ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për arsye se kostoja e shpenzimeve do të jetë më e vogël. “Unë jam që vendi të futet urgjentisht në gjendje të jashtëzakonshme me javë, që të ndalohet lëvizja e lirë e qytetarëve të cilët herë pas here harrojnë që jemi të rrezikuar nga virusi vdekjeprurës dhe infektues për tërë popullatën. Kostoja është shumë më e vogël nëse futet vendi në gjendje të jashtëzakonshme sesa të mbesim në këtë gjendje, e që nuk e dimë sa do të zgjatë”, deklaron ai.

Kelmendi foli edhe për mocionin për votëbesimin e qeverisë Kurti.

Ai tha se nuk ka impakt në ekonomi për arsye se sektori privat dhe ligjet ekzistuese në fuqi janë të mjaftueshme që sektori privat të ecë në rrugën e vet për të cilën mendon se kriza politike fare nuk ka ndikim.

“Rënia e qeverisë është çështje politike dhe nuk ka fare impakt në ekonominë e Kosovës përveç te disa biznese të cilat kanë të bëjnë me tenderë. Prandaj, nuk duhet kuptuar që rënia e qeverisë ka impakt në ekonominë e Kosovës, sidomos në sektorin privat”, deklaron Kelmendi.

E për mundësinë e rritjes së çmimeve në këtë kohë, Kelmendi thotë se vetëdija e të gjithë tregtarëve është në nivelin e duhur. Sipas tij, tregtarët janë të organizuar, kanë marrë me kujdes sugjerimet dhe vendimet e qeverisë që mos të rriten çmimet e atyre produkteve për të cilat nuk ka imput të rritjes nga importi.

Comments are closed.