“Reagimi i Osmanit presion ndaj KQZ-së, PZAP-së dhe Supremes”

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj po e konsideron ndërhyrje dhe presion direkt ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, reagimin e djeshëm të ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ndaj këtij institucioni.

Miftaraj në një përgjigje për KosovaPress, u shpreh se Osmani duhet t’i dalë në mbrojtje KQZ-së, e jo të anatemojë atë. Derisa thotë se shkarkimi i kryesues së KQZ-së, Valdete Daka është i pamundur, pasi do të ndikonte automatikisht në shtyrjen e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Megjithëkëtë, Miftaraj nuk e konsideron reagimin e Osmanit si shkelje Kushtetuese, ashtu siç e cilësoi sot LDK-ja.

“Në të vërtet ne kemi pritur se presidentja e Republikës do të dalë në mbrojtje të integritetit të institucionit, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe jo të bëjë të kundërtën sikur ishte rasti i djeshëm. Përderisa presidentja e Republikës së Kosovës ka obligim të garantojë obligimin demokratik të institucioneve të pavarura, ku hynë edhe KQZ-ja. Ndërsa, reagimi i saj i djeshëm për faktin se e njëjta është edhe kandidate për deputete në listën e cila nuk u certifikua nga KQZ, me të vërtet mund të konsiderohet si lloj ndërhyrje dhe presioni jo vetëm ndaj KQZ-së, por edhe institucioneve të tjera si PZAP dhe Gjykata Supreme. Presidentja në adresimin e saj duhet të përçoj siguri dhe besim në këtë proces që po kalon Kosova, e në rastin konkret fatkeqësisht ka ndodhur e kundërta”, u shpreh Miftaraj.

Miftaraj thotë se shkarkimi i mundshëm i Dakës është në diskrecionin e u.d presidentes, Vjosa Osmani, por në rastin e tillë, për shkak të procedurave të dekretimit të kryesuesit të ri, zgjedhjet mund të shtyhen.

“Është në diskreditonin e presidentes të vlerësojë në çdo rast nëse kryesuesja e KQZ-së ka cenuar integritetin e këtij institucioni, apo humbur besimin e qytetarëve në pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij institucioni.

Sidoqoftë ky integritet i cenuar padyshim në raport me publikun duhet të sqarohet, shpjegohet dhe argumentohet në mënyrë të qartë. Në këtë fazë ku Kosova është në mes të një procesi zgjedhor, shkarkimi i zonjës Daka është pothuajse është mision i pamundur. Çdo vendim i tillë do të bënte që data e zgjedhjeve të 14 shkurtit të shtyhet, pasi shkarkimi dhe emërimi i një kryesuesi të ri merr së paku ditë, apo javë deri sa të ketë komunikim me kryetarin e Gjykatës Supreme për të dërguar emrin e ri për dekretim. Në këtë formë mund të themi se po thuajse është i pamundur një vendim i tillë me kusht që të mos shtyhet data e zgjedhjeve 14 shkurti”, thotë ai.

Ani pse disa prej partive politike këtë veprim të Osmanit e konsideruan si shkelje kushtetuese, Miftaraj u shpreh se reagimi të parës së shtetit nuk mund të konsiderohet si e tillë.

“Rasti i presidentes dje nuk mund të konsiderohet shkelje Kushtetuese, pasi shkelja Kushtetuese në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit janë të përcaktuara në mënyrë të qartë, kur dhe si mund të ketë shkelje Kushtetuese. Më shumë e shoh si një lloj ndërhyrje e cila ka cenuar integritetin e KQZ-së, por edhe besimin në pavarësinë dhe paanshmërinë e presidentes”, pohon ai.

Në një reagim publik, dje ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka kritikuar Komisionin Qendror Zgjedhor, e sidomos kryetaren e saj, Valdete Daka për moscertifikim e listave për deputetë të disa partive politike.

Ajo theksoi se nëse përsëriten skenat e njëjta do të detyrohet të marra masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së.

Në mbledhjen e së premtes, KQZ-ja nuk
certifikoi listat e kandidatëve për deputetë të LVV-së, AAK-së dhe Nismës, pasi sipas tyre, disa kandidatë janë të dënuar me vepra penale në tri vitet e fundit, rrjedhimisht nuk janë në përputhje me nenin 29, pikën “q” të Ligjit për Zgjedhje.

Comments are closed.