Rukiqi: Asnjë masë e Pakos Emergjente që e prek sektorin privat nuk është zbatuar në tërësi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se dy muaj pas vendosjes së masave detyruese për mbylljen e ekonomisë, ende asnjë masë e Pakos Emergjente Fiskale që e prek sektorin privat nuk është zbatuar në tërësi.

Rukiqi thotë se nuk është dashur të injorohet biznesi kur tani në këtë kohë të pandemisë së COVID-19 ka vështirësi.

“Kritika e parë në raport me Pakon Emergjente është vetë mënyra e zbatimit në kuptimit të qënurit emergjente. Dy muaj pas vendosjes së masave detyruese për mbylljen e ekonomisë, ne ende asnjë masë që e prek sektorin privat nuk e kemi zbatuar në tërësi”, tha Rukiqi në një intervistë për Telegrafi.com.

Ai tha se nuk ka qenë e lehtë të arrihet një konsensus për përkrahjen e ekonomisë.

“Nuk ka qenë e lehtë të arrihet një konsensus për këtë pjesën e përkrahjes për ekonomi, duke qenë një situatë të vështirë të vendimmarrjes. Për neve ka qenë shqetësuese kjo situatë, duke e ditur që në situata normale nuk dinë të sillen mirë në raport me ekonominë, sidomos në atë se çfarë duhet të përkrahet ose si duhet të përkrahet sektori privat, prandaj ka qenë esenciale që të angazhohemi dhe ta bëjmë një presion pozitiv, edhe pse nganjëherë mund të keqkuptohet, por megjithatë është arritur në konsensus që ekonomia duhet të përkrahet në mënyrë urgjente”, tha ai.

Sipas Rukqit, biznesi në këtë kohë ka pasur vështirësi dhe për këtë nuk është dashur të injorohet.

“Nuk ka rëndësi ndonjëherë vlera e përkrahjes, por ka rëndësi koha e zbatimit dhe mënyra e zbatimit të asaj përkrahje. Kjo është shumë e rëndësishme për sektorin privat. Nuk është dashur të injorohet tani kur ka vështirësi të biznesit. Ne kemi të bëjmë me një strukturë të ekonomisë që nuk ka as rritje ekonomike të qëndrueshme, nuk ka as shumë burime të financimit, e të njëjtën kohë nuk ka ndonjë bazë të shëndosh”, shtoi ai.

Në këtë intervistë, Rukiqi ka folur edhe për modelin e ri që ekonomia e Kosovës duhet ta zbatoj pas pandemisë si dhe për për gjendjen e ekonomike pas fazës së dytë të hapjes ekonomike në vend. Gjithashtu ai ka folur edhe për masat për adaptim në vendet e punës duke u respektuar vendimet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Comments are closed.