Sabit Veseli, heroi i heshtur i Kosovës  

Ramadan AVDIU e Bardhyl MAHMUTI
 
Braboniqi u zhvillua si fshat me legjendën e Dan Dorocit i cili ishte bashkëluftëtar i Azem Galicës dhe njihej për trimëritë që i kishte bërë jo vetëm në malet e Drenicës por edhe më gjerë.

Zakonisht në Braboniq mbrëmjeve tuboheshin burrat dhe bisedonin në odat e fshatit për trimëritë e zhvilluara nga shqiptarët e atyre anëve. Një prej odave më në zë të fshatit ishte ajo e familjes së Smajl Veselit.

Në oxhakun e kësaj familjeje më 16. Nëntor 1958, u lind Sabit Veseli, i cili do ta shquhet si fëmijë i shkathët, i zgjuar dhe shumë kureshtar.

Sabiti, qysh në moshë të re përcillte me vëmendje debatet që bëheshin nga burrat e Braboniqit nëpër odat e fshatit dhe filloj të interesohej jo vetëm për të bëmat e Dan Dorocit dhe të luftëtarëve të asaj ane, por edhe për historinë tonë kombëtare. Këtu zë fill formimi dhe forcimi i vetëdijes atdhetare, revolucionare e luftarake i Sabit Veselit.

Si nxënës i shkollës së mesme në Braboniq ai tashmë kishte siguruar dhe lexuar libra për Lëvizjen kombëtare shqiptare, si librat e Ajet Haxhiut Shote dhe Azem Galica, Hasan Prishtina dhe Lëvizja Patriotike në Kosovë monografi për Ismail Qemajlin e Isa Boletinin, Bajram Currin e libra të tjerë të cilët ishin të ndaluara nga regjimi jugosllav. Krahas leximit të kësaj literature të ndaluar që i shërbente për përgatitjen me njohuri të nevojshme, librat e ndaluar Sabiti i shpërndau në mesin e shokëve të shkollës, për t’u ofruar mundësinë që të lexonin historinë e mirëfilltë të popullit shqiptar, atë histori që nuk ishte censuruar nga regjimi komunist jugosllav.

Nga kujtimet e moshës së hershme që shpesh evokonte Sabiti burgosja dhe dënimi i Adem Demaçit në vitin 1975 luajti një rol shumë të rëndësishëm në formimin e tij politik. Nga ato momente për Sabit Veselin u bë e qartë se pa organizim në struktura të fshehta nga pushteti nuk mund të bëhet mobilizimi i nevojshëm rreth kërkesave politike. Në një farë mënyre, për Sabit Veselin 17 vjeçar burgosja dhe dënimi i Adem Demaçit u shndërrua në një betim për vazhdimin e organizimit dhe rezistencës deri në realizimin e aspiratave tona liridashëse.

Vërtetë nga ajo ditë Sabiti nuk u ndal asnjëherë. Ai tërë energjinë dhe potencialin e tij fizik, intelektual e material do ta shkrijë në përpjekje, rezistencë luftë e sakrificë për çlirim të vendit nga okupatorët.

Shpërthimi i demonstratave të Pranverës së vitit 1981 e gjeti Sabitin, në mënyrë të natyrshme, në radhët e para të protestuesve. Se bashku me një grup shokësh nga Mitrovica Sabiti ishte tejet aktiv në demonstratën e 26 Marsit 1981 në Prishtinë. Gjatë përleshjeve të asaj dite të demonstruesve dhe të policisë Sabiti nxori në shesh aftësitë e tija fizike dhe guximin e pashembullt. Në përleshje me forcat e policore që ishin angazhuar të shtypnin çdo revoltë shqiptare dhe të ruanin okupimin e Kosovës nga Serbia, Sabiti Veseli sypatrembur ishte në ballë të demonstruesve.

Të nesërmen në mëngjes Sabiti kthehet në Mitrovicë dhe fillon bashkë me disa shokë të rrethit të tij të cilët më herët i kishte furnizuar me libra dhe literaturë revolucionare të planifikojnë organizimin e demonstratave në qytetin e Mitrovicës.

Duke besuar se literatura e ndaluar nga regjimi titist kishte efektet më të mëdha te studentët, Sabiti me shokët e vet planifikuan që protesta të fillojë me studentët e Fakultetit Xehtaro-metalurgjik dhe kjo protestë të vazhdohet me përfshirjen e minatorëve dhe punëtorëve të kombinatit Trepça. Parashikimet e Sabitit dhe të shokëve të tij dolën të sakta. Ashtu siç kishte planifikuar studentëve iu bashkuan edhe minatorët, punëtorët dhe shtresat tjera shoqërore.

Kur evokonte këto momente, Sabiti fliste me admirim për të gjithë ata protestues që ishin bashkangjitur demonstratave. “Më duket se të gjithë qytetarët e Mitrovicës kishin dalë në demonstratat e 1 dhe 2 prillit” thoshte me krenari Sabiti.

Jo vetëm si organizatorë por edhe si pjesëmarrës Sabiti ishte në ballë të demonstratave në Mitrovicë. Angazhimi i tij vetëmohues në ballë të protestës bëri që të arrestohet së bashku me disa shokë të tij. Në procedurën paraprake siç e quante UDB-ja, fazën e hetimeve që përcillej me tortura të tmerrshme, Sabiti qëndroi shumë i vendosur të mos e fliste asnjë fjalë që do të mund të dëmtonte ndokënd…

Si gjatë hetuesisë ashtu edhe në procesin gjyqësor Sabiti mbronte me këmbëngulje se kërkesat e popullit tonë janë të drejta, se demonstratat ishin legjitime dhe se ndihej krenar që kishte qenë në mesin e atyre që angazhoheshin për realizimin e aspiratave tona kombëtare.

Është interesante se gjatë gjykimit, Sabiti ua mohoi gjyqtarëve të drejtën që të thirren në emër të popullit. “Mos e përmendni fjalën popull se ju nuk mund të na gjykoni në emër të popullit. Juve nuk ju ka emëruar populli por pushtuesit e Kosovës që të shtypni ata që luftojnë për ta çliruar këtë popull. Të jeni të bindur se as vrasjet, as torturat e hetuesisë suaj, as dënimet me burg nuk mund ta ndalin çlirimin e Kosovës ” ishin fjalët e Sabitit në gjyq që do të kujtohen shpesh nga shokët e tij.

Për qëndrimet dhe veprimet e tij Sabit Veseli u dënua me shtatë vite e gjysmë burg. Në të njëjtin proces gjyqësor u dënuan edhe Xhelal Ferizi (me 8 vjet e 6 muaj ), Ujkan Zeneli (me 8 vjet ), Skender Hajredini (me 7 vjet e 6 muaj) dhe Nazmi Shaqiri (6 vjet e 6 muaj). Ndërsa, në procese të tjera gjyqësore u dënua një numër shumi i madh i shqiptarëve, kryesisht të rinj, që do të krijojnë armatën e njerëzve të rezistencës së ardhshme kombëtare në Kosovë.

Qëndrimi i papërkulur i Sabitit përballë hetuesve të UDB-së dhe në procesin gjyqësor bënë që ai të dërgohet për vuajtjen e dënimit në burgun famëkeq të Serbisë, “Zabela” në Pozharevac.

Në burgun e Pozharevacit Sabiti u njohë me një plejadë të shkëlqyer të të rinjve veprimtarë e revolucionarë të dënuar nga të gjitha trojet shqiptare të okupuara nga Jugosllavia.
Në Pozharevc ai u njohë me të burgosurit:
Afirm Zhitija, Fadil Vata, Bardhyl Mahmuti, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Adem Grabovci, Nezir Myrtaj, Bajrush Xhemaili, Mehmet Bislimi, Ibrahim Xhemajli, Beqir Beqa, Ismaijl Haradinaj, Sami Kurteshi, Murat Bytyqi, Fehmi Berisha, Riza Vata, Ali Lajçi, Sherif Krasniqi, Reshat Avdiu, Afrim Hoti, Avdurrahman Limani, Imer Hasani, Bejadin Hasani, Skender Ibishi, Pajazit Krasniqi, Kadri Luzha, Naim Shala, Ismail Syla, Bajram Gashi, Halil Alidemaj, Mustafë Ademi, Jonuz Jonuzaj, Milaim Jashari, Xhevat Ademi, Agim Kasami, Ramadan Bunjaku, Mujë Shabani, Bahtir Ahmeti, Ilaz Zhitija, Taip Zeka, Nuhi Muhadri, Nazmi Hoxha, Hasan, Shaban e Fetah Shemsiu, Ismet Begolli, Hazir Xhafolli, Shaqir Ruhani, Rifat Kafexholli, Bedri Bahtijari , Sadik Sutaj, Sokol Meta, Ibrahim Krasniqi, Hamëz Krzeyiu, Sami Qorrolli, Tahir Turkaj etj.

Periudha e kaluar në burg Sabitin e forcoi edhe më shumë. Ai e shfrytëzoi gjithë kohën duke lexuar dhe komentuar format e organizimit revolucionar me shokët që e ndante qelinë me ta. Kjo përgatitje bëhej me qëllim të vazhdimit të rezistencës deri në çlirim e plotë të vendit. Një pjesë të konsiderueshme të kohës do ta ndajë dhomën me Afrim Zhitinë, Bardhyl Mahmutin Ismajl Haradinajn dhe Halil Selimin.

Gjatë qëndrimit në burg Sabit Veseli morri pjesë në të gjitha aktivitetet e organizimit të rezistencës: greva urie, peticione dhe forma tjera të revoltës. Vlen të theksohet se që në periudhën gjatë qëndrimit në burg ishte një marrëveshje në mesin e veprimtarëve që të vazhdohet rezistenca e organizuar pas daljes nga burgu.

Lëvizja e rezistencës që ishte dobësuar pas arrestimeve masive në vitin 1985 filloi të ringjallet me shpejtësi më të madhe pas daljes nga burgu i Pozharevcit në vitet 1987-1989 i Ibrahim Xhemailit, Beqir Beqa, Fadil Vata, Afrim Zhitija, Bardhyl Mahmuti, Ramadan Avdiu e Halil Selimi të cilët ishin inkuadruar në organet udhëheqëse të Lëvizjes.

T’ua përkujtojmë se kjo periudhë përkon me periudhën kur zhvillohej një luftë vendimtare për statusin politik të Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave. Ishte periudha e mobilizimeve të organizuara nga shteti serb dhe pushteti i Millosheviqit për të suprimuar autonominë e Kosovës.

Sapo doli nga burgu (në vitin 1988) Sabiti vuri kontakte të menjëhershme me Bardhyl Mahmutin. Nga kjo kohë ai morri angazhimet për vazhdimin e rezistencës dhe rritjen e shkallës së organizimit në qytetin e Mitrovicës dhe rrethinës së saj ndërsa për strukturat e organizuara në Prishtinë ai propozoi të afërmin e familjes së vet, Kadri Veselin tek i cili kishte besim të madh për kualitetet organizative dhe vendosmërinë e tij.

Riorganizimi i Lëvizjes i dha një hov të jashtëzakonshëm rezistencës, e cila tanimë ishte shtrirë në të gjitha viset shqiptare. Shtrirja e strukturave organizative pati për efekt që demonstratat e organizuara në të gjitha qytetet e Kosovës të kishin një qëndrim dhe të njëjtën përmbajtje. Këtë harmonizim të kërkesave dhe qëndrimeve politike e bëmë falë trakteve, proklamatave dhe sqarimeve që shpërndaheshin në mijëra kopje nga veprimtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës gjithandej Kosovës por edhe në viset e banuara me shqiptarë në Maqedoni, Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi…

Studentëve të Universitetit të Prishtinës, që ishin në ballë të atyre ngjarjeve, u kujtohet se nuk kishte javë që të mos shpërndaheshin materiale të Lëvizjes në konviktet ku banonin. Po ua kujtojmë një ngjarje të pazakontë për atë kohë. Materialet orientuese të Lëvizjes shpërndaheshin kryesisht natën dhe në fshehtësi të thellë. Por, në mars të vitit 1989, pak para ndryshimeve të Kushtetutës së Kosovës, ndryshime që u imponuan përmes tankeve dhe dhunës policore, në Bibliotekën kombëtare Universitare të Prishtinës, në orën 11 të ditës Sabit Veseli, Fahri Fazliu dhe Bardhyl Mahmuti ua shpërndanë studentëve traktet me udhëzime se si duhej të veprohej në ato rrethana.

Për qindra studentë që ishin në ato momente në bibliotekë u bë e qartë se kjo gjeneratë e re e veprimtarëve kishte vendosur që të mos fshihej se qëndronte prapa organizimit të rezistencës. Atyre që kanë qenë në atë moment në bibliotekë po ua bëjmë me dije se njëri nga shpërndarësit e komunikatës, ai që u thoshte: “merre këtë komunikatë, lexoje shumëzoje, shpërndaje, propagandoje e armikut mos ia dorëzo”, ishte Sabit Veseli.

Krahas aktiviteteve të shumta në Prishtinë, Sabit Veseli ishte njëri ndër organizatorët kryesor të demonstratave në Mitrovicë në muajt mars e prill të vitit 1989 dhe gjatë periudhës janar-mars 1990.

Rreth vetes kishte afruar të rijnë entuziastë dhe të vendosur të cilët i kishte kalitur me përvojën e tij në mesin e të cilëve shquheshin Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi. Sabiti entuziazmohej dhe i bëhej zemra mal kur dëgjonte për sukseset e aksioneve dhe zgjerimit të rezistencës por edhe e përjetonte shumë rëndë humbjen e shokëve. Rënia heroike e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut në nëntor të viti1989, si dhe vdekja e Fadil Vatës në prill të vitit 1990 si të gjithë bashkëveprimtarët edhe Sabitin do ta pikëllojë pa masë, por edhe do ta forcojë vendosmërinë për të vazhduar rezistencën deri në realizimin e aspiratave për liri dhe pavarësi. Ai vazhdoi veprimtarinë me shokët e tjerë. Veçanërisht ishte përqendruar në rrethin e Mitrovicës.

Sabiti mori pjesë në Mbledhjen e Tretë të përgjithshme të LPK-së, të mbajtur më 4 tetor 1991 në Ujmirë si delegat i Këshillit të rrethit të Mitrovicës. Në këtë kohë fillojnë përgatitjet për kalimin në faze të re të rezistencës, duke grumbulluar mjete materiale. Sabiti thoshte se të gjithë shokët e tij janë të gatshëm të armatosen dhe të kalojnë në aksione konkrete kundër pushtuesve. Fillimi i shthurjes së Jugosllavisë përmes konflikteve dhe luftërave në Slloveni dhe Kroaci ishte indikatori vendimtar edhe për ne se nuk do të mund të shkëputemi nga Jugosllavia me protesta e demonstrata. Prandaj, Sabiti thoshte se nuk ja vlen më të humbet kohë në protesta, por duhet të godasim armikun përmes kryengritjes së armatosur.

Në vitin 1991 do të njihet me Ajmane Veselin me të cilën do martohet në vitin 1992 .
Për aktivitetet e tij të shumta kishte filluar të bie në sy të udbashëve të cilët vërtiteshin gjithandej për të paralizuar lëvizjen e organizuar të rezistencës. Sabiti gjithmonë ka qenë i armatosur dhe nuk e vriste mendjen më për burgun. Ai shpesh thoshte; “ burgun e kam mbaruar dhe nuk kthehem i gjallë në burg, prandaj edhe nuk e heq armën nga brezi asnjëherë. Kur të më del armiku para, do ta vras derisa të vritem edhe vet.

Sabiti me veprimtarët më të vendosur që i kishte angazhuar, krijojnë bërthamat e para të armatosura në rrethin e Mitrovicës të cilat do të jenë shkëndijat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Mitrovicë dhe rrethinë.

I ndjekur nga pushtuesit e Kosovës dhe në pamundësi të vazhdimit të aktivitetit strukturat udhëheqëse të LPK-së vendosën që Sabiti të largohet përkohësisht nga Kosova. Në fund të vitit 1992 Sabiti pranoi të largohet nga Kosova dhe të kërkojë strehim politik në Zvicër.

Ai vendoset në Zurich të Zvicrës ku e vazhdon aktivitetin por tani në rrethana të tjera. Sabiti shumë shpejt edhe në Zvicër krijoj rrethin e tij me bashkatdhetarë dhe ishte shumë aktiv në grumbullimin e ndihmave për shokët e tij dhe veprimtarët që e shtrinin vizionin e çlirimit përmes luftës së armatosur në Kosovë. Disa herë Sabiti personalisht bleu armatime dhe nga Zvicra i transportoi deri në kufijtë e Kosovës ku ua dorëzoi pjesëtarëve të UÇK-së.

Deri në fund të luftës çlirimtare Sabiti qëndroi në mbështetje të ushtarëve të UÇK-së dhe për plotësimin e nevojave të tyre nuk u ndal asnjëherë duke mos kursyer asgjë…

Në shtator të vitit 1998 ra dëshmorë vëllai i Sabitit, Bahriu. Ai u vra në të njëjtën ditë kur ranë dëshmorë edhe Fehmi Lladrovci me Xhevën, Shefqet Zeken dhe Fatime Hetemin.

Edhe për Bahriun Sabiti ndjeu dhembje të madhe sikurse edhe për çdo luftëtarë tjetër të UÇK-së të rënë në luftë për liri. Sabit Veseli thoshte se rënia e vëllait si dhe dëshmorëve të tjerë duhet të na motivojë edhe më tepër të angazhohemi për domosdoshmërinë e forcimit të luftës së armatosur deri në çlirimin e vendit.

Falë vendosmërisë së veprimtarëve të palodhshëm dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjes ndërkombëtare Kosova më në fund u çlirua nga thundra e okupatorit serb. Këtij çlirimi iu gëzua edhe Sabiti Veseli i cili ndihej modest për kontributin që kishte dhënë në luftën për liri të popullit shqiptar të Kosovës.

Fundi i luftës e gjeti në Mitrovicë për të ndarë gëzimin me bashkëluftëtarët dhe me popullin e Kosovës. Ai vizitoi shumë familje të bashkëveprimtarëve që kishin rënë dëshmorë dhe vendet ku preheshin dëshmorët e kombit.
Procesit të ri të ndërtimit të institucioneve shtetërore të Kosovës Sabit Veseli i gëzohej pa masë. Ai ishte i gatshëm të kontribuojë në të gjitha fushat ku kishte nevojë, pa lënë pas angazhimet që të mbajë mbi supet e veta barrën financiare për mirëqenien familjes së tij, bashkëshortes Ajmanes dhe tre fëmijëve Agronit, Fjollës, Granitit, të prindërve dhe familjes së vëllait të rënë dëshmor, Bahri Veselit.

Sabit Veseli me shëmbëlltyrën e tij ka ngelur si një personalitet i shquar në historinë tonë më të re, i cili është dalluar për guximin, vetëmohimin, përkushtimin dhe gatishmërinë për të sakrifikuar dhe për të dhënë gjithçka nga vetja e tij me qëllim të realizimit të aspiratës për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Vrasja eventuale ballë për ballë me armikun ka qenë një mundësi e pritshme dhe që nuk e ka përjashtuar as Sabiti për vetveten e as bashkëveprimtarët që e kanë njohur dhe që kanë vepruar me të. Lajmi i kobshëm për vdekjen tragjike të Sabitit si pasagjer në aksident të komunikacionit vështirë pranohej nga miqtë dhe shokët e tij. Por, jeta i ka edhe këto të papritura.

Sabit Veseli mbetet në kujtesën e veprimtarëve si njëri nga atdhetarët e shquar të luftës për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Lavdi jetës dhe veprës së tij!