Shala paralajmëron masa ndaj Maqedonisë së Veriut, taksa ndaj Serbisë mbetet në fuqi

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, është shprehur i vendosur për ta mbajtur në fuqi taksën ndaj mallrave serbe derisa Serbia nuk reflekton karshi kërkesave që ka Kosova.

Vendosmërinë për ta mbajtur këtë taksë në fuqi ministri Shala e jep si porosi edhe për kolegët pasardhës që do të udhëheqin me Qeverinë e re.

Ai thotë se ky vendim do të duhej të vlejë për secilin ministër që vjen në MTI.

“Përderisa unë jam dhe do të vazhdojë të jem prapë ministër i Tregtisë dhe Industrisë, përderisa ashtu siç kam thënë edhe më herët, përderisa nuk eliminohen arsyet të cilat neve si Qeveri e Republikës së Kosovës na kanë detyruar të marrim një vendim të tillë atëherë masa e vendosur në raport me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi dhe kjo do të duhej të vlejë për secilin ministër, për secilën Qeveri të ardhshme që vjen me udhëheq me vendin”, tha Shala, për Ekonomia Online.

E duke folur për barrierat që po paraqet Shqipëria dhe Maqedonia Veriore për bizneset kosovare, thotë se me Shqipërinë kanë gjetur mekanizëm për eliminimin e këtyre barrierave.

“Ne kemi pasë barriera me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Me Shqipërinë pas mbledhjes së dy qeverie e kemi gjet një mekanizëm për eliminimin e gjithë këtyre barrierave, jemi në rrugë të duhur dhe kurdo që na shfaqet, na interpretohet, të dy ministritë edhe te ajo e Shqipërisë dhe këtu te ne, te Ministria e Tregtisë një barrierë e mundshme atëherë institucionet përmes Koordinatorit Kombëtar zv. kryeministrit Limaj në afat rekord e eliminojmë secilën barrierë, e cila haset gjatë bërjes biznes ndërmjet dy vendeve tona”, tha Shala.

Maqedoninë Veriore e paralajmëron se nëse vazhdon me këto barriera do të jenë të detyruar të vendosen masa reciprocitetit.