Si ndodhi rënia e PDK-së pas 12 vitesh në pushtet

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka qëndruar në pushtet për më shumë se 12 vite ka pësuar një rënie të madhe në numrin e votave në zgjedhjet e 6 tetorit. Sipas rezultateve të KQZ-së, PDK-ja ka marrë 169 mijë e 211 vota apo 21.23 përqind, gjë që i jep asaj biletën për opozitë në katër vitet e ardhshme.

As premtimet e shumëfishta e të shpeshta për luftimin e korrupsionit nuk i ndihmuan Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të udhëhequr nga Kadri Veseli që të vazhdoj qëndrimin e saj në pushtet.

Pas 12 viteve qeverisje, rezultatet e votimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, PDK-në e nxorën si partinë e tretë më të votuar në vend, me 169 mijë e 211 vota apo 21.23 për qind.

Kësisoj PDK-ja në zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës e siguroi biletën e saj për opozitë në Kuvendin e Kosovës. Kalimin në opozitë e ka konfirmuar edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli i cili theksoi se partia e tij do të jetë një opozitë konstruktive që do t’i kontribuoj vendit, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

“Së bashku me PDK-në kemi punuar që t’i fitojmë zgjedhjet, por nuk fituam. Partia Demokratike e Kosovës do të kalojë në opozitë, por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë shtetin”, ka deklaruar të dielën Veseli.