Simbolikat e Nëntorit për shqiptarët

Halit Krasniqi
 
Me 28 nëntor 1912, u shpall Pavarësia e shtetit shqiptar në më pak se gjysmën e trojeve etnike të shqiptarëve. Megjithatë, nga atëherë filloi afirmimi i identitetit të kombit tonë në marrëdhënie ndërkombëtare dhe kjo datë mbeti e shenjtë për shqiptarët. Që nga atëherë e deri tani, në vigjilje të festave të nëntorit, shqiptarët meditojnë për arritjet e fatin e rëndë të popullit shqiptar dhe përherë cytën për të përthekuar kapërcyllët e moteve. Secilit, në mënyrën e vet imagjinative, i shfaqën thikat e ndarjes mbi hartën e etnisë shqiptare në vitet e largëta mbi tavolinat e Berlinit, Londrës, Versajës dhe e Jaltës. Deri sa në tavolinat e Versajës dhe Jaltës nuk ishin temë e trajtimit trojet shqiptare, aty ishte një heshtje për prerjet e më hershme në trojet shqiptare, të mos korrigjoheshin.
 
Por edhe pas këtyre traktateve ndërkombëtare nga qendrat e vendosjes për gjepolitikat e reja, trojet shqiptare do të ndahen pa mëshirshëm në çdo traktat e marrëveshje ndërkombëtare apo do të lihen të ndara padrejtësisht deri sot. Këto ndarje do të sjellin sfida të mëdha dhe armiqësi të shumta me të gjithë fqinjët, nëpër kohë të ndryshme. Kjo do t’i kushtoj me prapambetje ekonomike dhe me ngecje demografike popullit tonë. Gjithashtu edhe fërkime e debate të hidhura përbrenda popullit të pa arsimuar, për mënyrat e çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare, deri në vitet e fundshekullit të 19-të dhe në fillimet e decenies së dytë të shekullit 20-të, ku do të kurorëzohet një fitore për gjysmën e territoreve shqiptare. Megjithatë identiteti i plotë i kombit tonë, do të afirmohet me shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar.
 
Për më shumë se gjysmën e trojeve shqiptare të mbetura padrejtësisht jashtë kufijve të shtetit shqiptar, do të përcaktohej fat i rëndë, duke u sfiduar vazhdimisht deri në kohën tonë me përpjekje për çlirim. Edhe për kundër dy luftërave ballkanike e dy luftërave botërore, ku do të sjellin ndryshim të kufijve dhe krijim të identiteteve të reja shtetërore gjithandej, trojet shqiptare do të mbesin të ndara edhe përkundër përpjekjeve dhe luftërave çlirimtare të popullit tonë. Shteti shqiptar do te mbetët i cunguar dhe Shqipëria e copëtuar. Kështu, perceptimi për Shqipërinë do të krijohet vetëm mbi trojet e shtetit shqiptar. Ndërsa, pjesët tjera etnike të mbetura nën robëri, do të identifikohen me emërtimet krahinore, deri në kohën tonë.
 
Prej atëherë, rasti me i volitshëm dhe shanset më të mëdha për të krijuar zotërimin e trojeve tona, ishin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe përkundër përpjekjeve çlirimtare dhe rënies së mbi 35 mijë shqiptarëve në këtë luftë, të renditur në bllokun antifashist, shteti shqiptar mbetët në kufijtë e njëjtë të cunguar dhe trojet shqiptare të banuara etnikisht përsëri do të mbetën të copëtuara dhe nën sundime të huaja. Ky realitet do të mbetët deri në fund të viteve të 90-ta. Fati jonë i mirë që në mbarim të viteve 80-ta u prish raporti i forcave që e ruanin ekuilibrin e tyre në kufijtë e shteteve të Evropës juglindore dhe jugperëndimore, për të vazhduar me ndryshime edhe në fillim të viteve të 90-ta. 
 
Këto ndryshime nga më të volitshmet prej pas Luftës së Dytë Botërore, do t‘i gjejnë shqiptarët në fërkime ideore të brendshme dhe në përplasje konceptuale se çka duhet të bënin. Të prisnin mrekulli nga qielli që nuk iu kishte ardhur kurrë ndonjëherë  në ekzistencën e tyre, apo të vazhdonin të lëviznin në tokë për ndryshimin e fatit të tyre. Këto fërkime e këto përplasje konceptesh, do t’i përcjellin në mënyrë të theksuar deri në fund të viteve 80-ta. Duke i shoqëruar me një intensitet më ndryshe dhe në rrethana të reja deri në fund të viteve të 90-ta, kur do të fillojnë luftën e tyre çlirimtare, për pavarësinë e Kosovës.
 
Nga atëherë e deri me 17 shkurt 2008, filloi krijimi i identitetit shtetëror i Republikës së Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran në kushte e rrethana të caktuara. Si projekt politik, është i pa diskutueshëm, i pa dilemë, i pa hamendshëm se është në interes të shqiptarëve të Kosovës, në interes të shqiptarëve në përgjithësi dhe në interes të synimeve tona historike. 
 
Nga që potencialet tona kombëtare nuk mund të pretendojnë për synime më të mëdha dhe mbështetje ndërkombëtare aktualisht,  nuk mund të ndërmerren hapa të tjerë. Ky projekt ka përkrahjen e unifikuar të bashkësisë së shteteve mike, deri në anëtarësimin e Kosovës në OKB, në NATO e BE dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë. Prandaj, tërë energjitë tona, duhet të angazhohen për realizimin e këtij projekti nacional. Pa realizimin e këtij objektivi, nuk duhet të nxjerrim projekte tjera çfarë do qofshin, me çfarë do dizajnimi kuqezi, madje as aspirata jonë më impresive e bashkimit, si e drejtë e patjetërsueshme e cila favorizohet në një perspektivë optimale. 
 
Sado që është i hidhur ky fakt, po aq përfitime do të na sjell realisht, nëse e akceptojmë dhe veprojmë racionalisht. Sepse, për këtë të drejtë të pamohueshme të popullit tonë, nuk mund t’i krijojmë rrethanat e domosdoshme gjeopolitike aktualisht, prandaj edhe nuk mund t’i unifikojmë mbështetjet e shteteve mike, sikur për projektin aktual.

Meqenëse me arritjen e këtij qëllimi është një premisë që pastaj, askush nuk mund ta ndalë unifikimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare, pavarësisht që do të kemi edhe më shumë ndarje me kufij ndërkombëtar.
 
Prandaj kushdo që ideon dhe që nxjerr projekte të tjera para shqiptarëve, pa realizimin e këtij objektivi, mund ta bëj për arsye të pa justifikueshme: nga naiviteti politik i shtyrë nga dëshira subjektive apo të tjerë nga megalomania personale për protagonizëm. Në rastin më të keq, është i cytur nga qendrat antishqiptare.
 
Ky do të ishte shërbim i radhës që ekskluzivisht është në interes të huaj, duke dëmtuar perspektivën e sigurt të bashkimit real të kombit tonë.