Skandaloze | Qindra çifteve po u mbahen peng embrionet në QKUK

Qindra çifte që po planifikonin të krijonin familje nëpërmjet frytnimit të asistuar (IVF), janë dëmtuar nga prilli i vitit 2019, si pasojë e mbylljes së reparteve në klinikën amerikane “Behar Kusari” në Prishtinë në Spitalin “Bahceci”, “Lindja” dhe disa klinika të tjera.

Pas bastisjes së këtyre klinikave, me rekomandim të Inspektoratit Shëndetësor dhe Farmaceutik, embrionet e çifteve janë dërguar për kujdesje në Klinikën Gjenekologjike të QKUK-së në Prishtinë.

Por, nga ajo kohë, pra prilli i këtij viti çiftet që po trajtoheshin në klinikën amerikane “Behar Kusari” dhe Spitalin “Bahceci”, nuk po mund t’i marrin embrionet nga QKUK për t’i vazhduar procedurat në qendrat tjera në Kosovë, të cilat kanë licencë për frytnim të asistuar (IVF).

Arsyet se pse këto çifte nuk po mund t’i marrin embrionet janë sa byrokratike, aq edhe të qëllimshme nga ana e drejtuesve të këtyre klinikave, në bashkëpunim me prokurorinë, dyshojnë çiftet.

Paguajnë kredi për një shërbim që nuk është kryer!

Një nga çiftet që nuk dëshiron t’i përmendet emri, (emri i njohur për redaksinë), ka rrëfyer se si po maletertohen, duke mos e qarë askush kokën për hallin e tyre, madje as institucionet përgjegjëse.

“Së bashku me bashkëshorten vendosëm që të provonim të krijojmë familje nëpërmjet IVF, në clinikën ‘Behar Kusari’. Shkuam në një nga bankat e Kosovës dhe e morëm një kredi në vlerë 5000 euro. Pasi paguam rreth 3500 euro në të njëjtën klinicë për këtë procedurë, filluam trajtomet mjekësore. Pas dorëzimit të materialeve gjenetike, na thanë se kanë rezultuar 3 emrione. Dhe kur menduam se çdo gjë po shkonte si duhet, pa pritmas dëgjuam se policia e ka bastisur këtë klinikë”, shprehet çifti në fjalë.

I njëjti tregon se pas disa ditësh është informuar nga përgjegjësit e kësaj klinike se embrionet e tyre kanë përfunduar për kujdesje fillimisht në Spitalin Lindja, e më pas në QKUK.

“Nga ajo kohë nuk kemi lënë derë të institucioneve pa trokitur, por kot. Thjesht po luajnë me ne, duke e larguar përgjegjësinë nga vetja, dhe duke dhënë premtime të rrejshme. Në klinikën amerikane ‘Behar Kusari’ po na thonë se embriologu i tyre nuk guxon të merr pjesë në tërheqjen e embrioneve tona nga QKUK-ja, pasi nuk kanë marrë leje me shkrim nga prokurori i rastit, Armend Hamiti. Përkundër premtimeve se do ta marrin një leje nga prokurori Hamiti, ende asgjë nuk ka kokrete”, vazhdon rrëfimin çifti për “Gazeta Blic”

Po ashtu tregojnë se askush nga institucionet shtetërore asnjëherë nuk i ka kontaktuar.

“Nëse prokuroria ka prova për keqpërdorime nga ana e klinave, çfarë faj kemi ne çiftet. Shteti- Ministria e Shëndetësisë është dashur që të merrët me ne, që të mos dëmtohemi. Dikush në këtë rast me ose pa qëllim po bënë krim”, pohon çifti.

“Sikurse ne në hall janë dhe qindra çifte të tjera. Duke e parë neglizhencën e institucioneve përgjegjëse, veçmas të prokurorisë, kemi vendosur që të interesohemi për të ngritur padi ndaj klinikës amerikane ‘Behar Kusari’; Inspektoriatit të Shëndetësisë dhe Prokurorisë, prokurorit Armend Hamiti. Do të kërkojmë nga institucionet e drejtësisë që ta gjejnë fajtorin- dëmtuesin tonë”, mbyll rrëfimin e tij njëri nga çiftet.

Nuk dihet numri i embrioneve të sekuestruara

“Gazeta Blic” lidhur me rastin ka kontaktuar fillimisht me drejtorin e Klinkës së Gjinekologjisë në QKUK, Jakup Ismajli, për të mësuar numrin e saktë të embrioneve që janë bllokuar aty tash e sa muaj aty, por ai u shpreh i rezervuar për këtë çështje duke thënë se janë përgjegjës vetëm për ruajtjen e tyre.

“Ne jemi përgjegjës vetëm për ruajtjen e embrioneve dhe asgjë më shumë. Ne nuk kemi dosje të tyre dhe nuk e dim sa është numri i embrioneve. Aktualisht atyre klinikave ju ka dalur veprimtaria dhe nuk kanë mundësi t’i marrin. Për tërheqje e tyre, pacientet bëjnë kërkesë fillimisht në klinikat përkatëse dhe pastaj me embriologun e tyre vijnë tek ne dhe në bashkëpunim me embriologët tanë marrin embrionin e tyre. Kaq mund të them, ne nuk dim as çfarë ka brenda tyre“, u shpreh Ismajli.

E nga Inspektorati i Shëndetësisë i kanë thënë “Gazeta Blic” se tashmë ka një raport lidhur të gjeturat nga koha e inspektimit. Aty, ushtruesja e detyrës së Kryeinspektores Nora Krasniqi, tha se duhet të bëhet kërkesë zyrtare për çasje në dokumente publike në mënyrë që të ketë redaksia për botim, por një gjë e tillë nuk është ofruar nga zyra për qasje në dokumente publike në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ato materiale qelizore janë marrë pasi që në momentin e inspektimit Inspektorati Shëndetësore ua ka ndaluar atë veprimtari dhe janë dërguar në QKUK për ruajtje. Ne tashmë kemi edhe një raport nga të gjeturat gjatë inspektimit dhe është dhënë edhe vendimi i shkallës së parë dhe shkalës së dytë, po ashtu është bërë ankesa nga institucioni dhe tani jemi në pritje të një vendimi përfundimatar” , tha Krasniqi.

Akuza për bllokim të qëllimshëm!

Ndërkohë “Gazeta Blic” ka kontaktuar edhe me njëren nga klinikat private ku ofrohet shërbimi i frytnimit, atë të ‘Behar Kusarit’, por nga aty thonë se e gjithë përgjegjësia bie tek organet përgjegjëse që ia kanë pezulluar punën.

“Me datën 02.04.2019 ne Klinikën Amerikane “Dr. Behar Kusari” është bërë një inspektim në të cilin me një procesverbal është pezulluar shërbimi i FAM nga Inspektoriati Shëndetësor, po atë ditë na është kërkuar që t’i dërgojmë tanket e embrioneve në një klinikë tjetër me të cilin klinika jonë ka pasur bashkëpunim. Tanket me embrione janë dërguar në klinikën tjetër pa vonesë. Mirëpo, nga data 02.07.2019 janë mbyllur edhe 4 klinika tjera për shërbimin e FAM, kështu është mbyllur edhe klinika me të cilën kemi pasur bashkëpunim dhe si pasojë janë marrë tanket e embrioneve të klinikës tonë dhe janë dërguar në repartin e Gjinekologjisë në QKUK me vendim të Inspektoriatit Shëndetësor. Menjëherë pas tërhekjes së tankeve nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor, Klinika Amerikane me datën 03.07.2019 ka dërguar një njoftim tek Inspektoriati Shëndetësor dhe Ministri i Shëndetësisë Z. Uran Ismajli duke shprehur shqetësimin tonë në lidhje me kushtet në hapësirat e repartit të gjinekologjisë në QKUK ku janë vendosur tanket, pasi që sipas embriologëve tanë për tanket e embrioneve nevojiten kujdes profesional dhe ambient me kushte të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, gjë për të cilin e kemi njoftuar se Klinika Amerikane nga data e lartcekur nuk do të bartë përgjegjësi. Reagimi jonë me shkrim është bërë për të ruajtur interesin e pacienteve tanë, mirëpo, në jemi të pa fuqishëm që embrionet t’i marrim me forcë nga atje“, thonë nga Klinka Amerikane ‘Behar Kusari‘.

Kjo klinikë akuzon se nuk kanë gjetur bashkëpunim nga organet përgjegjëse që tani po mirren me rastin, argument ky që sipas tyre po i bllokon në kryerjen e shërbimeve të kësaj natyre.

“Ju informojmë që sipas legjislacionit në fuqi, Institucionet Shtetërore janë të detyruara që në momentin që pezullojnë ofrimin e shërbimeve në një institucion, për hirë të natyres se ndjeshme të shërbimit janë të obliguar që të sigurojnë ofrimin e shërbimit për pacientet, gjë për të cilin në kohë pas kohe kemi kërkuar zgjidhje për pacientet nga Inspektoriati Shëndetësor dhe drejtori i Repartit të Gjinekologjisë në QKUK aty ku ndodhen edhe tanket e embrioneve momentalisht. Si rrjedhojë e kësaj, pas takimeve verbale që kemi pasur, ju kemi drejtuar institucioneve edhe me shkrim me datën 27.08.2019 dhe prap nuk kemi pranuar përgjigje nga ana e tyre. Pas insistimit të pacientëve dhe insistimit tonë, nga Drejtori i Repartit të Gjinekologjisë në QKUK jemi ftuar të gjitha klinikat në një takim ku kemi kërkuar të jenë prezent Inspektoriati dhe Policia, me qëllim që të na definojnë nëse mund të kemi apo jo qasje, stafi mjekësor i klinikës në tanket e embrioneve, sepse sipas raportit të inspektoriatit nuk i lejohet embriologëve të klinikës të kenë qasje në tanke për arsye të procedurave ligjore që janë duke u ndjekur nga institucionet shtetërore. Prap se prap, në mbledhjen e këtij komisioni kanë munguar institucionet përgjegjëse dhe kemi mbetur pa një procesverbal ose vendim se si të veprojmë me tanket e embrioneve të pacientëve. Si rrjedhojë e kësaj tash e 7 muaj në jemi në pritje të një vendimi apo informimi nga ana e Institucioneve përgjegjëse se si të veprohet me tanket e embrioneve pasi që nga reparti i Gjinekologjisë në QKUK kërkohet të kenë qasje embriologet e klinikë sonë, por në anën tjetër sipas vendimit të inspektoriatit tanket janë sekuestruar dhe embriologet nuk kanë të drejtë të kenë qasje.
Ju informojmë që Klinika Amerikane “Dr. Behar Kusari” gjatë gjithë kohës është në kontakt me pacientet të cilët kanë mbetur pa përfunduar procedurën dhe në lidhje me pagesat, gjithë pacientëve ju kemi sqaruar se ku ka mbetur procesi nga ana e Institucioneve Shtetërore dhe se në momentin që do fillojmë punën me FAM, për të gjithë pacientet do të vazhdojë procedura aty ku ka mbetur, gjithmonë duke kërkuar llogaridhënje edhe nga ana e Institucionit që menaxhon dhe ruan tanket e embrioneve momentalisht“, thuhet mes tjerash në përgjigjën drejtuar “Gazeta Blic“.

Ndërkaq të pyetur se si do të veprohet me pacientet që kanë kryer pagesën për këtë shërbim, nga kjo klinkë nuk përmendin si mundësi kthimin e mjeteve financiare, por thonë se do t’ua kryejn shërbimin sapo të iu lejohet një gjë e tillë, me vendim të drejtësisë.

Sa i përket pagesave të pacientëve, ju informojmë që të gjithe pacientët janë të informuar, kanë raportet e pagesave dhe se shërbimi që është paguar nga ana e pacienteve por edhe i atyre që nuk e kanë paguar ende, Klinika Amerikane “Dr. Behar Kusari” me përkushtim është duke komunikuar me secilin pacient dhe se për secilin bartë përgjegjësinë që në momentin kur fillojmë shërbimin e FAM do të përcjellen procedurat në fazën ku kanë mbetur, kurse për pacientet që kërkojnë momentalisht qasje në embrionet e tyre, të gjithë i kemi informuar që duhet të kërkojnë llogaridhënjë dhe informata tek reparti i gjinekologjisë në QKUK”, thuhet në fundt të përgjigjës.

“Gazeta Blic” ka bërë që nga të kontaktojë me Prokurorin e rastit Armend Hamitin, që nga data 7 nëntor, për të marrë një sqarim lidhur me ngecjen e këtij procesi që i ka bllokuar qindra çifte për tu bërë me familje, por ai ka refuzuar të pronocnohet.

BASTISJET

Në prill të vitit 2019 Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor dhe Farmaceutik, nën dyshimin për shitblerjen e materialit gjenetik dhe shfrytëzimin e “qelizave të huaja seksuale” të çiftëve për t’i bërë prindër të tjerë çifte, pa autorizim të personave nga të cilët janë marrë ato, ka mbyllur repartin ku kryhej frytnimi i asistuar (IVF), në klinikën amerikane “Behar Kusari” në Prishtinë.

Pas bastisjes nga policia dhe Inspektorati Shëndetësor dhe Farmaceutik, bazuar në të njejtat është vepruar edhe me Spitalin “Bahceci”, “Lindja” dhe disa klinika të tjera.  | GAZETA BLIC |