Sot pritet të votohet projektligji që mundëson tërheqjen e 10% nga Trusti

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme, në të cilën pritet të miratohet në lexim të dytë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili mundëson tërheqjen e 10 përqind të kursimeve nga Trusti i Kosovës, raporton Gazeta Evropa.

Kuvendi do të mbajë seanca të rregullta edhe të enjten dhe të premten.

Njoftimi i plotë i Kuvendit:

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, u mblodh sot nën drejtimin e kryetares dr. Vjosa Osmani, për të përcaktuar agjendën e punës së Kuvendit për këtë javë.

Kryesia vendosi që të mërkurën, më 11 nëntor, në orën 11:00, Kuvendi të mbajë seancën e jashtëzakonshme, për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19, ndërsa në orën 12:00, në të njëjtën ditë, të vazhdojë seancën me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara.

Të enjten, më 12 nëntor, ndërkaq, do të mbahet seancë e re, duke filluar në orën 10:00.

Seanca e rregullt do të fillojë me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, për të vazhduar me dy interpelanca të kryeministrit Avdullah Hoti: interpelancën për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, si dhe atë për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së.

Pas interpelancave, seanca do të fillojë me shqyrtimin e projektligjeve. Kështu, në lexim të parë pritet të shqyrtohen pesë sosh: Projektligji për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, Projektligji për Inspektoratin e Punës, Projektligji për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256.

Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i Raportit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, si dhe shqyrtimi i katër raporteve të katër institucioneve të pavarura për vitin 2019: Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Raportit Vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik, Raportit Vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, si dhe Raportit Vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Po ashtu do të shqyrtohen edhe rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për raportin e auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2019, si dhe do të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Të premten, më 13 nëntor, Kuvendi do të mblidhet po ashtu në seancë të re, në interpelancën e kryeministrit të Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur edhe nga 7 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me shfuqizimin e Task-forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës.

Kryesia, në mbledhjen e sotme, në të cilën morën pjesë edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare, procedoi për mendim në qeveri tri nisma legjislative: Projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, Projektligji për Fshatin Kabash dhe Projektligji për ndryshim plotësimin e Ligjit nr. 04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti.

U konfirmua gjithashtu edhe formimi i delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Komisionin e përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE – Kosovë.

Në këtë mbledhje, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Comments are closed.