Specialja lëshon komunikatë, për Hysni Gucatin kishte urdhër për arrestim – nuk përmendet Nasim Haradinaj

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale ka lëshuar komunikatë pas bastisjes së sotme në zyrat e OVL e UÇK-së dhe arrestimit të kryetarit të kësaj organizate, Hysni Gucati.

Në këtë komunikatë thuhet se Gucati është arrestuar pas një fletarrestimi dhe urdhri për transferim të lëshuar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të

Specializuara, shkruan lajmi.net.
Por, gjatë ditës së sotme nga hetuesit e Speciales është arrestuar dhe ndaluar edhe Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL e UÇK-së por që emri i tij nuk përmendet në komunikatën për media.

“Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim.”, thuhet në këtë komunikatë.
Ky është njoftimi i plotë pa ndërhyrje i Zyrës së Prokurorit të Specializuar:

Hysni GUCATI u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.

Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në.
Informacion i mëtejshëm do të jepet në kohën e duhur.

Comments are closed.