Taksa rriti kontrabandën, brenda një viti u konfiskuan 10 milionë euro mallra

Taksa 100 për qind ndaj prodhimeve serbe dhe atyre boshnjake nuk pati fare ndikim në të hyrat e Doganës së Kosovës. Por kjo taksë ndikoi dukshëm në rritjen e kontrabandimit të mallrave nga këto dy shtete.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha thotë se vetëm gjatë këtij viti kanë zbuluar rreth 350 raste të kontrabandimit të mallrave serbe dhe boshnjake, e që kapin shumën prej 10 milionë eurove.

“Gjatë këtij viti kemi pasur rreth 350 zbulime vetëm të produkteve serbe e boshnjake, ndërsa nëse flasim në total ne kemi diku vepra penale të zbuluara nga aspekti i luftimit të ekonomisë joformale por edhe kontrabandës dhe zbulimit të kundërvajtjes kemi diku rreth 10 milionë euro zbulime gjatë këtij viti. Vetëm efekti direkt, ndërsa efekti indirekt është shumë më i lartë sepse ke arritur të parandalosh shumë aktivitete kontrabanduese që në një farë mënyre e ka legalizuar edhe importin në anën tjetër të rregullt”, thotë ai.

Interesi i grupeve kriminale del të jetë në ato produkte që sjellin potencialisht fitim të madh, prandaj ato synojnë të kontrabandojnë produkte me akcizë.

“Këtë vit kemi pasur diku rreth 20 milionë stok cigare të konfiskuar që janë kontrabanduar. Kemi pasur mbi 7 tonë duhan refuz. Por ajo që ka filluar të jetë më e shprehur si mall i kontrabanduar është edhe duhani në argjilë, pasi vërejmë që janë hapur edhe shumë lokale. Por kemi edhe produkte të tjera, kemi pasur shumë kilogramë të konfiskuar narkotikë. Kemi pasur armë, municion. Por duhet ta potencojmë edhe produktet e falsifikuara. Kemi konfiskuar rreth 2 milionë vlerë të këtyre mallrave dhe që anë shkatërruar”, thotë Berisha për Ekonomia
Online.

Një rëndësi të veçantë Berisha thotë se i japin parandalimit të kontrabandimit të barnave, të cilat përveç efekteve ekonomike, kanë edhe efektet shëndetësore.

“Rëndësi të posaçme i japim edhe kontrabandimit të barnave sepse është një produkt i cili ka një kosto të lartë dhe sjellë një profit po ashtu të lartë përmes rrugëve kriminale, por edhe dëmton shëndetin publik. Këtë vit kemi rreth 10 mijë copë paketime të ndryshme që kemi zbuluar kontrabandë përmes rrugëve malore që janë futur në Kosovë”, thotë Berisha.