Thaçi jep shenja se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimeve që ka mbajtur me liderët politikë, Albin Kurtin, Isa Mustafën e Kadri Veselin, ka thënë se bazë e veprimeve të tij do të jetë respektimi i Kushtetutës dhe praktikat e mëhershme, duke pasur parasysh edhe mocionin e mosbesimit, raporton Gazeta Evropa.

“Bazë e ime do të jetë respektimi i legjitimitetit të plotë të zgjedhjeve të 6 tetorit, mirëpo duke marrë parasysh edhe mocionin. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme që do të ndërmarr do të jenë transparente mirëpo edhe në përputhje me Kushtetutën dhe në përputhje me praktikat e mëhershme. Pra do jetë një proces i konsultuar, kushtetues dhe ligjor”, ka thënë ai.

Në një konferencë për media, Thaçi ka thënë se pavarësisht situatës së fundit të krijuar në Kosovë me përhapjen e koronavirusit, jeta institucionale duhet të vazhdojë.

“Pavarësisht vështirësive, jeta institucionale në Kosovë vazhdon dhe funksionimi i demokracisë do të vazhdojë. Sot duke respektuar Kushtetutën dhe mandatin tim, pas mocionit të mosbesimit jam i detyruar për të filluar konsultat me partitë politike për hapat e mëtutjeshëm të funksionimit të institucioneve të Kosovës.
Sot kam takuar kryetarin e VV-së, Albin Kurti, kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Nesër do t’i takojë edhe liderët tjerë, liderët e AAK-së, Nismës dhe përfaqësuesit e Listës Serbe dhe Gjashtë Plus, në mënyrë që të krijojë një bazë të opinioneve, apo të formësoj veprimet e ardhshme që duhet t’i ndërmarr si president”, ka thënë Thaçi, duke bërë me dije se nesër do të vazhdojë takimet me liderët tjerë politik.

Comments are closed.