Trusti tregon se sa janë të sigurta pensionet pas shfaqjes së pandemisë

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës i njofton përmes kësaj kumtese të gjithë kontribuuesit, mediat dhe publikun e gjerë për gjendjen e investimeve të FKPK-së para dhe pas shpërthimit të pandemisë nga COVIT-19, por edhe masave që organet vendimmarrëse të institucionit i kanë marrë rreth pozicionimit të investimeve, por edhe mbrojtur kontribuuesit që do të pensionohen në afatshkurtër, gjatë kohës sa vazhdon kriza dhe tregjet janë në nivel negativ.

EFEKTET E PANDEMISË

Pandemia e shkaktuar nga virusi COVIT-19 ka krijuar tashmë krizë jashtëzakonisht të rëndë për tregjet financiare globale. Efektet negative kishin nisur në ekonominë me aktivitetin prodhues më të lartë në botë, në Kinë, nga mbyllja e linjave të prodhimit dhe pikave të shitjes, qysh gjatë muajve janar e shkurt 2020. Ato efekte u reflektuan menjëherë në tregjet financiare, pra ende pa filluar përhapja e virusit në nivel global.

Ndërkohë që përhapja e virusit u zgjerua në nivel global, dhe kaloi në pandemi, ndodhi edhe mbyllja e aktivitetit të prodhues edhe në ekonomitë më të zhvilluara (proces i cili po vazhdon). Përveç saj kishte kufizim dhe ndalim të qarkullimit ajror, turizmit, rënie të theksuar të investimeve, prodhimit, konsumit e shitjeve, rënie të fortë të çmimit të naftës, vështirësi (e tashmë edhe pamundësi) për të shlyer obligimet financiare (nga bizneset dhe individët), humbje eventuale të vendeve të punës, reduktime të shërbimeve, rritje të rasteve të reja me infeksion si dhe rritje të numrit të vdekjeve çdo ditë, dhe si rezultat i gjithë kësaj rritje të jashtëzakonshme të pasigurisë dhe frikës në nivel global. Dëmi ekonomik i kësaj pandemie është ende i pallogaritshëm, si në terma financiarë ashtu edhe njerëzor. Megjithatë, ka shpresë se efektet stimuluese dhe ndihmëse që qeveritë dhe organizatat botërore financiare po ndërmarrin (për bizneset dhe qytetarët) do të japin efekt pozitiv në tejkalimin e kësaj emergjence.

MASAT E FKPK-SË PËR INVESTIMET

Organet drejtuese të FKPK-së, qysh para fillimit të efekteve më të rënda (deri më tani) në tregjet financiare kanë ripozicionuar investimet, duke i tërhequr masivisht investimet nga tregu i aksioneve dhe duke i drejtuar ato më së shumti në tregun e parasë së gatshme por edhe multi-portofoleve. Gati gjysma e gjitha investimeve tashmë është në Kosovë dhe në tregun e parasë së gatshme, ku risku llogaritet aktualisht më i ulti i mundshëm. FKPK-ja kështu e kishte ulur ekspozimin në tregun e aksioneve në nivelin më të ulët historik, prej vetëm rreth 6%.

Këto masa të marra kanë dhënë efekt duke i mbrojtur investimet e FKPK-së nga një rënie shumë e fortë e tregjeve financiare. Për krahasim, prej fillimvitit 2020 e deri më 18 mars indekset kryesore kanë njohur zhvlerësim të thellё. Indekset amerikanem Dow Jones Industrial (DJI) ka rënë me -30%, dhe S&P500 me -26%, ndërsa indekset në Evropë, si DAX i Gjermanisë ka rёnё me -37% kurse indeksi FTSE i Anglisё me -33%. Për të njëjtën periudhë performanca e investimeve të FKPK-së rezulton të jetë reduktuar me rreth -7%. Në anën tjetër, me qëllim të krijimit të avantazhit investues të pas krizës, institucioni është duke shikuar mundësinë për të filluar me ri-alokimin e mjeteve në instrumentet financiare që paraqesin mundësi rritjeje të shpejtë në momentin e rikuperimit të tregjeve.

MBROJTJA E KONTRIBUUESVE QË PENSIONOHEN GJATË VITIT 2020

Lajmi kryesor në këtë moment është për të gjithë kontribuuesit që do të pensionohen përgjatë vitit 2020. Bordi Drejtues ka themeluar një portofol konservativ, i cili nuk do të ndikohet nga rënia e tregjeve financiare. Pra, asnjë kontribuues i pensionuar gjatë vitit 2020 nuk do të preket nga rënia e tregjeve financiare.

Implementimi i këtij portofoli ishte menduar të bëhet gjatë pjesës së dytë të vitit, por për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që po përballemi, dhe me qëllim mbrojtjen e kontribuuesve, lansimi i këtij porfotoli është përshpejtuar.

Krijimi i këtij portofoli ishte edhe mënyra e vetme ligjore që aktualisht FKPK-ja e ka dispozicion për t’i mbrojtur personat që do të pensionohen përgjatë vitit. Njëherësh ky vendim shkon edhe në frymën e masave ndihmuese dhe lehtësuese që qeveritë dhe organizatat në mbarë botën (por edhe në Kosovë) janë duke i ndërmarrë në mbrojtje të qytetarëve të tyre.

FKPK-ja beson se kjo situatë do të tejkalohet dhe se bota do të arrijë të gjejë energji dhe ide për t’u kthyer në normalitet dhe prosperitet. Aktualisht shëndeti dhe jeta e kontribuuesve është më kryesorja, dhe i lusim të gjithë kenë kujdes të shtuar dhe të zbatojnë udhëzimet e institucioneve të vendit.

Comments are closed.