Unai Emery thotë se Mustafi mund të largohet

Unai Emery ka pranuar se i ka thënë Shkodran Mustafit të gjejë një klub të ri.

Trajneri i Arsenalit ka përdorur mbrojtësin shqiptar gjatë përgatitjeve për sezonin e ri, por vendin e tij në Premierligë pritet ta zë Calim Chambers.

Chambers dhe Sokratis pritet të jenë startues në ‘St James Park’ të dielën, kur Arsenal takohet me Newcastle United.

Minutat për Mustafin do të zvogëlohen edhe më shumë, pas arritjes së David Luiz nga Chelsea.

“Kam folur me të kur përfunduam sezonin e kaluar. Kam folur me të kur filluam përgatitjet dhe kam folur me të dy javë më parë, dhe ka mundësi që ai mund të largohet”.

“Ne vendosëm të jemi më konkurrues në çdo pozicion, në qendërmbrojtës me David Luiz, me një lojtar tjetër në mes Dani Ceballos, me Kieran Tierney dhe Nicolas Pepe.”

“Unë mendoj se duke qenë më konkurrues ne mund të përgjigjemi më mirë gjatë sezonit. Disa lojtarë ndoshta mund të luajnë më pak me këtë situatë dhe mund të largohen”.