Valon Berisha: Duhet ta fitojmë finalen ndaj Malit të Zi

Mesfushori i Lazios, Valon Berisha, ka thënë se përballja me Malin e Zi është njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme deri më tash për Kosovën.

“Dardanët” e presin përfaqësuesen malazeze në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Është test shumë i madh, do të jetë vështirë. Mali i Zi është ekip i fortë, por jemi në shtëpi, kemi tifozët me vete, kemi mbështetjen dhe do duhet të shkojmë për fitore. Është si një finale për ne. Duhet ta shikojmë si finale, ta fitojmë këtë e më pas na pret edhe një finale, por tani duhet të koncentrohemi te kjo ndeshje. Në ndeshjen e parë kam qenë i lënduar dhe nuk e di shumë mirë si ka shkuar ndeshja”, ka thënë Berisha.

“Do të jetë ndeshje e vështirë, shumë fizike. Duhet të përgatitemi mirë në këto ditë që na kanë mbetur. Do të shkojmë për fitore por e di që do të jetë vështirë. Ata nuk kanë çka të humbin dhe vijnë këtu për të bërë lojë të mirë. Për këtë do të jetë vështirë dhe duhet të jemi të përgatitur. Nëse mendojmë që do të jetë lehtë, do të jetë gabim shumë i madh. Miloti e Vedati janë lojtarë kyç dhe janë në formë shumë të mirë dhe janë shumë të rëndësishëm për ne. Besoj se ndaj Malit të Zi do të kemi hapësirë më të madhe se ndaj Gjibraltarit”, ka deklaruar Berisha.