Veliu: E kemi shumicën, po e presim aktgjykimin në tërësi që të vazhdojmë më tej

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është në pritje të aktvendimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese për çështjen e mandatarit në mënyrë që të vazhdojë me procedurat tjera për votimin e Qeverisë në krye me Avdullah Hotin.

Lidhur me këtë për Front Online, ka folur nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu.

I pyetur se a i kanë numrat për votimin e Qeverisë Hoti, Veliu shkurt tha se e kanë shumicën dhe se po e presin vendimin e Gjykatës.

“E kemi shumicën, ne po e presim aktgjykimin në tërësi, në momentin që e marrim ne vazhdojmë me procedurat e mëtutjeshme”, deklaroi Veliu për Front Online.

Ndërsa i pyetur se a do të jetë sërish ministër në Qeverinë “Hoti”, Veliu nuk ka pranuar të flasë edhe pse emri i tij është lakuar në media se do të jetë sërish ministër i Punëve të Brendshme, pasi që u shkarkua nga kjo pozitë muaj më parë nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

E shkarkimi i Agim Veliut, nga ky post rezultoi me prishjen e koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kjo e fundit ngriti mocion mosbesimi për ta rrëzuar Qeverinë “Kurti”.

Comments are closed.