Vendimi i BQK-së, kështu mund ta shtyeni këstin e kredisë

Duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi Covid-19, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë masa adekuate lidhur me funksionimin normal të sistemit financiar.

BQK-ja së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës kanë vendosur bashkërisht që për bizneset dhe individët të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, t’ju mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri me 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë.

Por, si të shtyjmë këstin e kredisë?

Kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore, duhet të kontaktojnë bankat e tyre dhe të bëjnë kërkesë për pezullim të pagesave të kesteve të kredisë.

Ata të cilët nuk bëjnë asnjë lloj kërkese, pagesa e kësteve do të bëhet si zakonisht në datat e tyre siç është e përcaktuar në kontratën me bankën.

Pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmojë klientëve të tyre në tejkalimin e situatës së krijuar. Pra, banka mund të mos aprovojë të gjitha kërkesat.

Në rastet e aprovimit nga ana e bankës, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë. Gjatë kësaj periudhe, ndaj kredimarrësve nuk do të aplikohen masa të përkeqësimit të klasifikimit kreditor.

Në rrethanat e tilla, me rastin e pezullimit të pagesave të kredive, BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që kreditë të mos klasifikohen, të mos kërkohen provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi me probleme në Regjistrin e Kredive.

Comments are closed.