Veseli takohet me përfaqësuesit e Odës së Farmacistëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka takuar përfaqësuesit e Odës së Farmacistëve të Kosovës, me të cilët ka biseduar për gjendjen në shëndetësi.

Në këtë takim, Veseli ka theksuar se shembulli i shëndetësisë, që për herë të parë udhëhiqet nga PDK-ja, me të si kryeministër do të jetë modeli i luftës kundër korrupsionit.

“Me vendime të guximshme, ministri Uran Ismaili ka arritur të bëjë atë që nuk e ka bërë askush për dy dekada në shëndetësi. Kështu ndodh kur vendosim njerëz të rinj në pozita udhëheqëse dhe u japim mundësi. Me gjashtë milionë euro të shpëtuara duke luftuar korrupsionin në shëndetësi, ne tani çdo vit mund të investojmë më shumë dhe të ndërtojmë spitale të reja, të blejmë aparaturë të re dhe barna shumë më cilësore. Kjo është zgjedhja që duhet ta bëjnë qytetarët e Kosovës: t’i investojnë miliona euro në korrupsion apo miliona euro në investime konkrete. Duke bërë zgjedhjen e duhur, ne mund ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë në vendin tonë”, ka thënë Veseli.