Veseli takoi një grup të ish-ushtarëve të UÇK-së, ja për çfarë biseduan

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka takuar një grup të ish-ushtarëve të UÇK-së, njofton Gazeta Evropa.

“Ne luftuam me guxim 20 vjet më parë dhe fituam. Megjithatë sot na duhet të luftojmë për një vend të zhvilluar. Bashkëluftëtarët më thanë se nuk luftuan që disa njerëz të gëzojnë privilegje e përfitime që nuk i meritojnë. Ata luftuan në mënyrë që të krijonim një shtet të demokratik me një ekonomi të lirë e të ndershme, me mundësi të barabarta, vlera perëndimore dhe partneritet me aleatët tanë”, ka shkruar Veseli, në llogarinë e tij, në Facebook.

Postimi i plotë i Veselit:

Takova sot një grup ish-ushtarësh të UÇK-së. Kishim shumë për çfarë të flisnim, kujtuam ditët e luftës kur të gjithë ishim më të rinj e më të pashëm. Mirëpo mbi të gjitha bashkëbiseduam për dhimbjen që kemi kur shohim se fëmijët po na largohen nga vendi për të cilin kemi luftuar. Ky është dështimi ynë, duhet ta pranojmë.

Ne luftuam me guxim 20 vjet më parë dhe fituam. Megjithatë sot na duhet të luftojmë për një vend të zhvilluar. Bashkëluftëtarët më thanë se nuk luftuan që disa njerëz të gëzojnë privilegje e përfitime që nuk i meritojnë. Ata luftuan në mënyrë që të krijonim një shtet të demokratik me një ekonomi të lirë e të ndershme, me mundësi të barabarta, vlera perëndimore dhe partneritet me aleatët tanë.

Prandaj sot nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet ta mposhtim korrupsionin dhe nepotizmin, ashtu siç kemi mposhtur armiqtë 20 vjet më parë. Nuk është një luftë e lehtë, ka shumë pengesa para nesh, por duhet ta fitojmë, së bashku, për veteranët, për të ardhmen e familjeve tona, për rininë, për Kosovën!