Veseli takon të rinjtë që migruan nga Kosova: Si kryeministër do t’i bind që të kthehen

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë ka takuar disa të rinj kosovarë që janë larguar nga vendi e që janë me pushime në Kosovë.

Ai i ka pyetur ata për arsyet e largimit të tyre dhe ka publikuar përgjigjet në një postim në Facebook, njofton Klan Kosova.

Veseli tha se duhet luftuar nepotizmin dhe korrupsionin për t’iu ofruar atyre mundësi brenda Kosovës. Ai premtoi se si kryeministër i ardhshëm do t’i bindë të rinjtë që të shfaqin e talentin e tyre në vendlindje.

Ja postimi i tij i plotë:

Sot është Dita Ndërkombëtare e Rinisë dhe largimi i të rinjve është një ndër problemet më shqetësuese të Kosovës. Me këtë rast, vendosa të takoj disa të rinj që kanë emigruar kohëve të fundit e që gjenden për pushime në Kosovë. Me ta bisedova për shkaqet që i kanë detyruar të ikin dhe për çfarë duhet bërë që të nxisim kthimin e tyre.

Argjendi e kishte lënë shkollën para tre vjetësh dhe ishte larguar në Itali sepse mendonte qe pozitat e punës merren me të njohur e jo me meritë, Shqiprimi ka ikur para tre muajsh në Gjermani pasi nuk mundi ta mbante hapur biznesin e tij ndërsa Redoni i diplomuar në marketing, është detyruar të shkojë në Austri.

Është më se e qartë që për t’u ofruar atyre mundësi brenda Kosovës, duhet të luftojmë nepotizmin në punësimet publike si dhe korrupsionin që po pengon investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Po ashtu, si kryeministër i ardhshëm do bëj prioritet fondet për autostradën e punësimit, që do i bind këta të rinj e shumë të tjerë që të kthehen e shpërfaqin talentin dhe energjitë në Kosovë.